Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Taulant Balla ka thënë se asetet e konfiskuara të krimit të organizuar dhe të korrupsionit po përdoren, edhe për sipërmarrjet sociale dhe për t’i ardhur në ndihmë grupeve dhe komuniteteve vulnerabël.
Balla shtoi se asnjë pronë e krijuar me burim kriminal nuk do të dalë më në shitje, për të shmangur rënien e tyre në dorë të personave që u janë konfiskuar.
Ai theksoi se sekuestrimi i këtyre aseteve të pajustifikuara, është dëshmi e funksionimit të drejtësisë së re.
“Sot jemi, do ta quaja si qershi mbi tortë, në një pronë që është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndaj një zyrtari të lartë shtetëror, i cili këtë apartament nuk e justifikonte dot me të ardhurat e veta. Ky është një rezultat i prekshëm i reformës në drejtësi dhe një mesazh i qartë kundër gjithë skeptikëve dhe kundërshtarëve të reformës në drejtësi, sepse e vërteta është se sot, në Shqipëri ka dy palë: një palë që mbështet reformën në drejtësi dhe një palë tjetër që është kundër. Ky apartament sot është shembulli më kuptimplotë ndaj gjithë skeptikëve se ja pra, se pasuritë e krijuara për shkak të përfshirjes në grupe kriminale apo për shkak të korrupsionit, po sekuestrohen. Lajmi më i mirë që ne mund të japim është që, e para, ne kemi marrë një vendim, Drejtori është këtu, që asnjë prej pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara, nuk do të privatizohet më. Kemi mësuar ne, edhe unë u desh të mësoja nga prokurorët antimafia javën e kaluar në Itali, se nëse do të shkonin për privatizimin e tyre, shanset që ato të rikthehen te ish-poseduesit, janë shumë të mëdha”, nënvizoi Balla.
Në pak javë u plotësua cikli i disa lloj pronash, të cilat janë marrë në administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK).
“Ishim para pak ditësh në një hotel të konfiskuar krimit të organizuar, i cili do të shërbejë si një shtëpi pushimi për punonjësit e Policisë. Keni parë në media faktin që shumë makina të luksoze, të shpejta, të cilat ishin blerë nga krimi, kanë kaluar tashmë në përdorim nga Policia e Shtetit. Sapo kemi kaluar sot një ‘Lamborghini’ më thanë drejtuesit e Agjencisë, për t’i shërbyer Policisë së Shtetit në luftën e saj ndaj krimit”, u shpreh ministri.
Balla nxiti organizatat jofitimprurëse të aplikojnë për projekte që mbështetin të reja e gra, pre e dhunës. Ai tha se një pjesë e pronave të bllokuara do të përdoren për familjet e Dëshmorëve të Policisë, rënë në krye të detyrës.
“Mesazhi që japim sot është që pronat e sekuestrua nga korrupsioni sot janë vënë në dispozicion të të rinjve, dhe jo vetëm të rinjve të Durrësit, të cilët ta zhvillojnë këtë Qendër sepse e shikoj që është një qendër multi-funksionale. Kështu që në këtë aspekt dua t’i urojë të rinjtë e Durrësit ta gëzojnë këtë shtëpizë të re”, e mbylli fjalën e tij Balla./euronews.al
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Dy të lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit
Guri i LDK’së: Mundeni me na paditë, por drejtësisë nuk mund...