Bujar Osmani është kandidati i BDI-së për president të Maqedonisë së Veriut

12:14 | 22 Shkurt 2024
E.G

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, sot në një prononcim në rrjetet sociale ka treguar se Bujar Osmani do të jetë kandidati i partisë së tij në zgjedhjet presidenciale.

Me sloganin “Jo Rusisë, po Evropës”, Ahmeti i ftoi qytetarët që ta përkrahin Bujar Osmanin për president të RMV-së, në mënyrë që siç tha, të ndalohet ndikimi i Rusisë.

Ahmeti tha se është koha që të ndryshohet edhe Kushtetuta për sa i përket zgjedhjes së presidentit, gjegjësisht presidenti të zgjidhet në Kuvend nga deputetët.

“Ariu polar, Rusia po na troket në derë dhe ka ndërhyrë në të gjitha poret e shoqërisë sonë dhe duke e ndikuar skenën partiake në vend. Rusia është prezente në partitë politike, në media, në shoqërinë civile dhe në çdo segment shoqëror, jo vetëm tek ne, por edhe në rajon. Putin dhe Lavrov deklaruan se anëtarësimi i RMV-së në NATO është vija e zjarrit”.

“Jemi dëshmitarë që na pamundësohet anëtarësimi në BE dhe të na rikthehet izolimi. Maqedonia është vend i vogël në udhëkryq të civilizimeve. Prandaj iu ftoj që të bëhemi bashkë ta zhvillojmë betejën e fundit të luftës së përjetshme dhe t’i themi bashkërisht ‘jo Rusisë, po Evropës’”, tha Ahmeti.

Ai gjithashtu ftoi deputetët që të miratojnë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e komunitetit bullgar në Kushtetutën e RMV-së.

Ndryshe, Bujar Osmani në garën për kryetar të shtetit si kundër kandidat do të ketë Arben Taravarin, i cili është propozuar nga partitë e bashkuara opozitare. Gjithashtu mbrëmë u konfirmuar se nga radhët e VMRO-DPMNE-së kandidate do të jetë Gordana Siljanovska, ndërsa këto ditë pritet që LSDM ta propozojë edhe për një mandat Stevo Pendarovskin. /indeks.mk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme