Google ADS

Champions League vazhdon  me dy ndeshje mjaft interesante

10:14 | 21 Shkurt 2024
KRG

Champions League do të vazhdojë sonte me dy ndeshjet e fundit të së tetës së finales.

Dueli kryesor i natës do të jetë ai mes Napolit dhe Barcelonës.

Amir Rrahmani me shokë do të përballen me katalunasit të prirë nga trajneri i tyre i ri, Francesco Calzona, i cili dy ditë më parë e zëvendësoi të shkarkuarin Walter Mazzarri.

Trajneri i ri i napolitanëve ka thënë se gjithçka është e mundshme, duke besuar se kampioni aktual i Italisë do të mundë ta eliminojë kampionin aktual të Spanjës, shkruan “Gazeta Express”.

Nga ana tjetër, trajneri Xavi Hernandez nuk e konsideron ekipin e tij favorit duke insistuar se gjasat janë 50 me 50 për të dyja ekipet.

Katalunasit po kalojnë nëpër momente të vështira në këtë edicion dhe trajneri Xavi e ka zyrtarizuar largimin në fund të sezonit.

Napoli do të mundë të llogarisë nga minuta e parë në të rikthyerin Victor Osimhen, i cili rikthehet nga Kupa e Kombeve të Afrikës pasi s’kishte luajtur për napolitanët që nga 23 dhjetori.

Tek Barça pritet të rikthehet Joao Felix, ndërsa ekipi mbetet pa Alejandro Balde, Gavi, Ferran Torres, Marcos Alonso e Sergi Roberto.

Sa u përket përballjeve paraprake, katalunasit i kishin fituar dy ndeshjet e mëparshme në fazën eliminuese, ndërsa dy ndeshje kishin përfunduar baras, me Napolin që s’ka fituar asnjëherë ndaj Barçës.

Në fazën e grupeve, Napoli e mbylli grupin në vendin e dytë prapa Real Madridit.

Ndërsa, Barça ishte lidere e grupit të saj duke e lënë prapa Porton.

E kjo e fundit do të jetë pjesë e një sfide tjetër interesante sonte.

Portugezët do ta presin Arsenalin, i cili ishte lider i grupit të tij në fazën e grupeve.

Të dyja ekipet do të mundohen të nxjerrin rezultat të favorshëm në lojën e parë para përballjes së tyre të dytë në “Emirates Stadium”.

Dy ndeshjet e sontme të Championsit do të nisin në orën 21:00.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme