Izraeli e shpall presidentin e Brazilit ‘persona non grata’

13:29 | 19 Shkurt 2024
A Z

Izraeli e ka shpallur presidentin e Brazilit, Luiz Inácio Lula da Silva një “persona non grata” për komentet që ai bëri në të cilat ai akuzoi Izraelin për kryerjen e një gjenocidi në Gaza, të cilin ai e krahasoi me veprimet e Adolf Hitlerit dhe Holokaustit.

Pasi thirri ambasadorin e Brazilit për një qortim, ministri i jashtëm i Izraelit, Israel Katz, lëshoi një deklaratë duke thënë: “Ne nuk do të harrojmë dhe nuk do të falim. Është një sulm serioz antisemitik. Në emrin tim dhe në emrin e qytetarëve të Izraelit – thuaji presidentit Lula se ai është persona non grata në Izrael derisa ta tërheqë atë deklaratë”.

Ndryshe, në fundjavë, presidenti i Brazilit kishte thënë “ajo që po ndodh në Rripin e Gazës dhe popullit palestinez nuk është parë në asnjë moment tjetër në histori. Në fakt, ndodhi kur Hitleri vendosi të vriste hebrenjtë. Ajo që po ndodh në Rripin e Gazës nuk është një luftë, është një gjenocid. Nuk është një luftë ushtarësh kundër ushtarëve. Është një luftë mes një ushtrie shumë të përgatitur dhe grave e fëmijëve”.

Ndërkohë një reagim kishte ardhur edhe nga Benjamin Netanyahu i cili i përshkroi fjalët si “të turpshme dhe alarmante” dhe “një banalizimi të Holokaustit”.

Sot në mëngjes, ministria e shëndetësisë në Gaza raportoi se mbi 29,000 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 69,000 janë plagosur si rezultat i aksionit ushtarak të Izraelit brenda Rripit të Gazës. /Telegrafi/

Të ngjashme