Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se blloku prej 27 anëtarësh ka ofruar “ndihmë të vazhdueshme” për Ukrainën në luftën gati dyvjeçare të saj kundër pushtimit rus. Zyrtari i lartë evropian e pranoi se në luftë, kjo ndihmë “kurrë nuk është e mjaftueshme”, por ndihma, veçmas në formë të predhave të artilerisë, do të vazhdojë të dërgohet në Kiev.
Në një intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë më 18 shkurt, Borrell tha se BE-ja vitin e kaluar i ka ofruar Ukrainës ndihmë në vlerë prej 28 miliardë eurosh, dhe deri më tani gjatë këtij viti është zotuar për ndihmë në vlerë prej 20 miliardë eurosh.
“E di, duhet të bëjmë më shumë. Asnjëherë nuk është mjaftueshëm kur jeni duke luftuar. Kurrë nuk është mjaftueshëm”, tha ai, teksa po merrte pjesë në Konferencën vjetore të Sigurisë në Munih.
“Por, mos thoni se nuk po bëjmë mjaftueshëm çdo ditë. Ne bëjmë shumë. Ka dërgesa të vazhdueshme, dërgesa intensive të municioneve tona në Ukrainë. Ne kemi edhe zotimin tim personal dhe të shteteve anëtare se do të vazhdojmë të dërgojmë furnizime”, tha Borrell.
“Ukrainës i duhet më shumë [ndihmë]”, shtoi ai.
Duke folur për furnizimet shtesë me municione në Ukrainë, veçmas municionet e premtuara për artileri, Borrell tha se “ato do të vijnë”.
“Ne po i prodhojmë. Kemi rritur për 40 për qind kapacitetet e prodhimit tonë, 40 për qind më shumë”, tha ai.
“Ne kemi pasur një nivel të ulët [të prodhimit të armëve dhe municioneve] kur nisi lufta dhe ne na u desh që të rrisim kapacitetet e prodhimit. E di që nuk është mjaftueshëm. Ju do të më thoni se 1.1 milion predha të artilerisë nuk janë të mjaftueshme. Por, industria jonë po shet armë për forcat e armatosura ukrainase. Çdo ditë iu bëj thirrje shteteve anëtare që të shkojnë të kërkojnë më shumë dërgesa nga industritë evropiane të mbrojtjes. Pra, ne do të vazhdojmë të bëjmë sa të mundemi”.
Në fund të janarit, Borrell e pranoi se BE-ja nuk do të arrinte synimin e vendosur paraprakisht që në Ukrainë deri në mars të dërgojë 1 milion predha të artilerisë. Ai tha se pothuajse gjysma e kësaj sasie mund të dërgohet deri në mars, dhe pjesa tjetër deri në fund të vitit.
Kievi për një kohë të gjatë është ankuar se mungesa e furnizimeve po pengon aftësinë e forcave të tij që t’iu kundërvihen sulmeve të ushtrisë ruse.
Më 17 shkurt, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje partnerëve perëndimorë që Kievit t’i dërgojnë më shumë armë dhe municione.
Këto deklarata të bëra në Munih erdhën pas vendimit të tij për të tërhequr forcat ukrainase nga qyteti lindor i Avdijivës./rel
Gresa për Rovenën: E sëmurë nga xhelozia
Reagimin e tifozëve në “Old Trafford” kur Ruben Amorim del n...
Dyshime për sulm me bombë në Gjermani, arrestohet i dyshuari
29 Nëntor, përkujtohet sot 80-vjetori i Çlirimit të Shqipëri...
Moti në Shqipëri me shi dhe shtërngata
Specialja sot urdhëron për zhdëmtimin e viktimave në rastin ...