Gazetari Mero Baze kritikon udhëheqësit e Kosovës për qasjen ndaj Shqipërisë

20:34 | 18 Shkurt 2024
E.G

Gazetari shqiptar Mero Baze ka kritikuar liderët e Kosovës: presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca duke thënë se ata injoruan zyrtarisht kontributin e Shqipërisë për Kosovën së paku prej vitit 1990 e deri në shpalljen e pavarësisë më 2008.

Sipas tij, në mbrëmjen zyrtare për nder të ditës së Pavarësisë, në të cilën ishte prezent dhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj përveçse u përmend prania e tij,  për 2 minuta u falënderuan gjithë shtetet mike dhe personalitetet që ndihmuan pavarësinë e Kosovës, por Shqipëria nuk u përmend.

“Nuk do t’ia vlente të merreshim me këtë çështje, nëse ajo  do të ishte një harresë e një prej udhëheqësve, apo ndonjë balanitet protokolli, por duket që është qëndrim I vetëdijshëm politik I Prishtinës zyrtare, nën frymën e politikës antiperëndimore të Albin Kurtit.”, ka shkruar Bazo.

“Nuk dua të rendis tani gjithë kontributin e Shqipërisë, prej vitit 1990 për Kosovën, pasi ajo është mbi të gjitha një kujtesë shtetërore e mbetur në letra dhe dokumente.”, shtoi ai.

Bazo tha se prej vitit 1991, kur Shqipëria u bë një vend demokratik, diplomacia e shtetit shqiptar ka pasur vetëm një mision dhe ajo ka qenë çështja e Kosovës.

“Diplomatët e rinj shqiptarë të Ministrisë së Jashtme, janë heronjtë e parë të ndërkombtarizimit të çështjes së Kosovës. “, ka shkruar ndër të tjera ai.

“Rruga e tyre e mundimshme, për të futur Kosovën në çdo konferencë ndërkombëtare  organizuar që nga KSBE, Këshilli I Evropës, Parlamenti Evropian, e më pas në Konferencat ndërkombëtare si ajo e Londrës dhe Oslos më 1992 e me radhë në vite, janë një histori krenare e shtetit shqiptar.”, u shpreh ai.

Ndër të tjera ai tha se prej vitit 1992, çdo ambasador i Shqipërisë në perëndim por dhe kudo në botë, ka pas detyrë të vetme dhe prioritare çështjen e Kosovës.

“Çdo ministër I jashtëm I Shqipërisë, I djathtë apo I majtë, ka pasur axhendë kryesore çështjen e Kosovës.”, shtoi mes të tjerash gazetari shqiptar.

Ai tha se deri në vitin 1995, kur Shqipëria ishte një vend I mbështetur fort nga SHBA dhe Komuniteti Evropian, politika e jashtme e Shqipërisë, ishte thjesht një shërbim në çështje të Kosovës.

“Kur Shqipëria ftohu raportet diplomatike me SHBA pas vitit 1995, për shkak të devijimeve demokratike në Shqipëri, që u pasuan nga zgjedhjet e shkatërruara të vitit 1996 dhe trazirat e vitit 1997, shteti shqiptar nuk ishte shumë kredibël që të mbronte çështjen e Kosovës, por diplomatët shqiptarë vazhduan punë njësoj sikur të ishin diplomatë të Kosovës. “, tha ai.

“Deri në atë kohë Ibrahim Rugova ishte bërë një personalitet I njohur ndërkombëtarisht, edhe fal mbështetjes së Shqipërisë, dhe në periudhën që Shqipëria e drejtuar nga Sali Berisha, ishte në krizë me faktorin perëndimor në periudhën 1995 1997, Ibrahim Rugova ishte udhëheqësi politik shqiptar më I mbështetur nga Perëndimi. “, shtoi ai.

Sipas tij,  pas vitit 1997, qeveria shqiptare e mbështetur nga perëndimi pas largimit  të Berishës përmes trazirave kombëtare, u bë sërish një interlokutore e çështjes së Kosovës, dhe u përfshi pak nga pak në gjithë problematikën që shoqëronte Kosovën deri në çlirimin e saj më 1999.

“Qeveria shqiptare luajti një rol kyç në krizën e refugjatëve të vitit 1998 1999, dhe Shqipëria u kthye në një territor lufte për ndihmën logjistike gjatë bombardimeve të Serbisë nga aleatët e NATO. Asnjë vend tjetër në botë, përjashto SHBA për shkak të qartësisë dhe fuqisë së saj diplomatike, nuk ka më shumë merita se Shqipëria, në ndërkombtarizmin e çështjes së Kosovës, dhe mbështetjen finale të luftës së saj për liri.  “, shkroi mes të tjerash Mero Bazo.

“Këtu nuk po flas për individë që u angazhuan dhe fizikisht dhe dhanë jetën për Kosovën, por po flas për shtetin shqiptar dhe politikën e Shqipërisë zyrtare, qofshin qeveri të majta apo tue djathta.”, u shpreh ai.

Mero Bazo në shkrimin e tij thekson se qënia e Shqipërisë në anën e Perëndimit, dhe zgjidhja e çështjes së Kosovës si një çështje të drejtash njerëzore, bazuar në parimet perëndimore të lirisë, kanë qenë faktorë kryesor startegjik në arritjen e lirisë së Kosovës.

“Shqipëria do të ishte e padobishme për Kosovën nëse do të ishte një shtet I izoluar komunist apo një diktaturë lindore si ato që erdhën pas vitit 1990 në shumë ish republika sovjetike. “, shkroi Bazo.

Sipas tij, Shqipëria  e ndihmoi Kosovën jo vetëm për shkak të te qenit vëllezër të një gjaku, por mbi të gjitha për shkak të të qenit të dyja në anën e Perëndimit.

“Gjesti zemërak I shëmtuar I tre udhëheqësve kryesor e të Kosovës, të cilët injorojnë kontributin e Shqipërisë në falënderimet e tyre zyrtare, nuk buron nga fakti se ata janë antishqiptarë, as se e urrejnë popullin shqiptar.”, vlerësoi ai.

“Është edhe më keq.  Ata urrejnë momentin politik të Shqipërisë në raport me Kosovën. Urrejnë faktin që ata janë në betejë me perëndimin për pushtetin e tyre kundër interesit tue Kosovës, ndërsa Shqipëria është duke bërë rolin e saj si shtet amë në krah të Perëndimit për të mirë të Kosovës.
Albin Kurti dhe kukullat e tij, janë të zemëruar me Shqipërinë, pse ajo është në anën e SHBA dhe Perëndimit dhe pse nuk është në anën e tyre për interesa elektorale.  “, theksoi ai.

Ai shtoi se qenurit me perëndimin, ka qenë e vetmja mençuri gjeniale e Ibrahim Rugovës që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës, dhe aleanca e UCK me NATO ka qenë e vetmja mundësi për të thyer ushtrinë jugosllave kundër Kosovës.

“Çdo kush që e braktis këtë rrugë, nuk braktis Shqipërinë, por braktis dhe rrezikon Kosovën. Udhëheqja politike e Kosovës I ka rënë në pjesë Kosovës, dhe ajo mund të vuaj përkohësisht problemet që vijë prej tyre.  Por Kosova do jetojë më shumë se ata.  Shqipëria po se po. “, ka shkruar ai.

“I vetmi rrezik për të dy vendet, është të bashkohen kundër Perëndimit, për interesa të Albinit. Ajo është e vetmja mënyrë të vrasim “të bashkuar”, Kosovën dhe të bëjmë një Shqipëri të keqe. Ashtu siç e ëndërrojnë ata që janë zëmëruar pse nuk bashkohemi me Albinin kundër Perendimit.”, përfundoi Bazo./Arbresh.info/

Të ngjashme