Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës në 16-vjetorin e Pavarësisë, ka thënë se nëse Serbia do të kishte ndier përgjegjësinë për gjenocidin në Kosovë, do ta kishte njohur pavarësinë e saj qysh në vitin 2008.
“Të gjithë e kemi të qartë se në rast Serbia shtetërore do të ishte ndier sado pak përgjegjëse për gjenocidin në Kosovë, nëse në politikën e saj do të kishte mbizotëruar arsyeja dhe jo revanshizmi shovinist, ajo duhej ta kishte njohur Kosovën qysh më 2008”, ka theksuar Kurti.
Duke folur për shtetin e Kosovës, ai ka thënë se ai është më i riu në rajon, si shtet e shtat, por me vetëdije të pjekur po aq sa e shteteve më të vjetër se ajo.
“Republika e Kosovës me 2008 ishte tashmë e maturuar si realizim i një aspirate popullore të brumosur për shumë vite e dekada”, deklaroi kryeministri Kurti.
Ai më tej foli për historikun e angazhimit të Kosovës përgjatë historisë për liri dhe bashkim të vilajeteve dhe për pavarësinë e Shqipërisë. “Atë e ka pjekur qëndresa e popullit tonë ndaj valëve të njëpasnjëshme të pushtimeve dhe gjenocideve”.
Kurti tutje, kujtoi ngjarjet e viteve ’80-ta për të vijuar në vitet ’90-ta, deri të dalja në skenë e UÇK-së.
“Me flijimet që bëri për idenë e Republikës, populli ynë në Kosovë fitoi simpatinë e shteteve demokratike përparimtare që i dolën në krah në vitin 1999”, deklaroi Kurti.
Ai tha se Kosova garanton të drejtat më të gjera për pakicat në rajonin tonë, posaçërisht te serbët, derisa tha se shqiptarët në Luginë janë pakica më e diskriminuar në Evropë, që edhe sot po i nënshtrohet spastrimit me të ashtuquajturin pasivizim të adresave.
Tutje kryeministri Kurti e ka përmendur edhe refuzimin e Serbisë për të nënshkruar marrëveshjet bazike në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
“Është për keqardhje e fatkeqe që fqinji ynë verior ka zgjedhur rrugën e konfrontimit me Republikën tonë. Ajo fillimisht kishte refuzuar nënshkrimin e planit franko-gjerman e sot vazhdon të refuzojë nënshkrimin e Marrëveshjes bazike për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën që sjell fqinjësi të mirë evropiane. Në vend të saj, ajo madje përqafoi terrorizmin. Edhe aty dështoi me turp përballë heroizmit dhe profesionalizmit të Policisë sonë. Mirëpo, për mbrojtjen e Republikës sonë prej terroristëve të financuar, të ushtruar e drejtuar nga Serbia, u deshtë që përsëri të japim dëshmorë. Rreshteri Afrim Bunjaku i shtohet plejadës së dëshmorëve tanë. Pa sakrificën sublime të tyre ne nuk do të përjetonim përvjetorin e Republikës. Lavdi dëshmorëve, Republika nuk ju harron”, ka shtuar Kurti./rtk
Kurti: Kemi rritur pensionet dy herë gjatë mandatit
“Boll more më”, Xheneta me ashpërsi i kthehet Rovenës, ja re...
Begaj viziton Mirditën, inkurajon binjakëzimin dhe bashkëpun...
Fitojnë Drita e Ballkani
Pak çerdhe, pak punë për gra
Meloni: Rusia përbën rrezik në shumë plane ndaj sigurisë së ...