Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, në një intervistë tha se Austria vlerëson arritjet që Republika e Kosovës ka bërë në 16 vitet e pavarësisë, teksa theksoi rolin historik të këtij vendi në mbështetjen e Kosovës, pas përmbylljen e bisedimeve për statusin e Kosovës në Vjenë.
Austria ka mbështetur Kosovën për liberalizimin e vizave, mbështet anëtarësimin e Kosovës në BE, Këshillin e Evropës si dhe organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare, tha ai. Ambasadori Schnetzer, thekson se Austria ka dënuar në mënyrë të qartë dhe të vendosur sulmin paramilitar të 24 shtatorit dhe ka kërkuar që përgjegjësit e këtij sulmi të dalin para drejtësisë. Ai gjithashtu, potencoi se vendi i tij mbështet fuqishëm procesin e dialogu, ndërsa kërkon nga Kosova dhe Serbia, zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, e arritur në shkurt të 2023 dhe aneksin e marrëveshjes së Ohrit, të marsit të vitit 2023.
Radio Kosova: Zoti Ambasador, të shtunën më 17 shkurt, Kosova feston 16 vjetorin e Pavarësisë. Austria është ndër vendet e para që ka njohur pavarësinë e Kosovës. Cili është mendimi juaj për arritjet e shtetit të Kosovës në këto 16 vite?
Georg Schnetzer: Mendoj se është arritur shumë për këto vite. Duhet thënë se përfarimi me Bashkimin Evropian dhe organizmat e tjerë ndërkombëtarë është një proces i gjatë, që kërkon kohë. Sidoqoftë, në këtë aspekt, janë shënuar disa arritje dhe të shpresojmë që në të ardhmen, kur të shënohet, të themi 20 vjetori, apo 25 vjetori i pavarësisë së Kosovës, të jenë shënuar arritje akoma më të mëdha.
Radio Kosova: Zoti Ambasador, Austria ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm historik në raport me Kosovën. Në Vjenë janë mbajtur bisedimet për statusin e Kosovës, ku njëri nga ndërmjetësit për bisedime ka qenë edhe diplomati austriak, Albert Rohan. Sidoqoftë, aktualisht ka një perceptim, se Austria nuk është shumë aktive në planin diplomatik në Kosovë. Këtu kam parasysh dialogun që po zhvillohet më ndërmjetësimin e BE-së. Apo, ndoshta ky është një perceptim i gabuar?
Georg Schnetzer: E kam njohur personalisht ambasadorin Albert Rohan. Kur unë fillova punën si i ri, ai ka qenë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Jashtme të Austrisë. Roli aktiv i Austrisë në rrafshin diplomatik, nuk ka përfunduar me përmbylljen e bisedimeve për statusin e Kosovës në Vjenë. Austria është në mesin e vendeve të para, që në vitin 2008 kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ashtu si më parë, ne jemi një nga vendet që kemi numër të madh të trupave, që përbëjnë kontingjentin e KFOR-it. Kemi qenë të përfshirë intensivisht në bisedimet për liberalizimin e vizave dhe forcë shtytëse që ka çuar përpara fuqishëm këtë proces brenda Bashkimit Evropian. Austria mbështet dhe angazhohet intensivisht për integrimin e Kosovës në BE dhe organizatat e rëndësishme ndërkombëtare. Kosova, gjithashtu, është një pik rëndesë për sa i përket bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik me Austrinë. Në këtë kuadër në Prishtinë në kemi një zyrë për koordinimin e këtij bashkëpunimi, pra, Zyrën e “Austrian Development Agency”. Bashkëpunimi ynë me Kosovën shtrihet në shumë fusha dhe me kalimin e viteve, ky bashkëpunim është bërë gjithnjë e më i ngushtë. Në përgjithësi, Ballkani Perëndimor ka qenë dhe mbetet prioritet. Kjo do të thotë se edhe Kosova është një nga prioritetet e politikës së jashtme austriake. Marrëdhëniet ndërmjet Austrisë dhe gjashtë vendeve të Ballkanit, tradicionalisht janë shumë të ngushta. Pra, kemi lidhje të ngushta historike dhe kulturore. Shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor, gjithashtu kanë një diasporë të madhe në Austri. Me një fjalë, kemi interesa të përbashkëta ekonomike, politike dhe interesa të përbashkëta në fushën e sigurisë. Si përfundim, Austria edhe në të ardhmen do të jetë shumë aktive në fushën diplomatike në rajon. Kjo do të thotë edhe në Kosovë.
Radio Kosova: Cili është qëndrimi i Qeverisë së Austrisë për zhvillimet aktuale në Kosovë, me theks të veçantë në veri të Kosovës? Vitin e kaluar më 24 shtator kishim incidentin e njohur në Banjskë?
Georg Schnetzer: Po, vitin e kaluar ishim dëshmitarë të disa ngjarjeve të pakëndshme dhe tejet dramatike. Fillimisht në muajin maj, kishim demonstratat e dhunshme, ku u lënduan 93 ushtarë të KFOR-it, pjesa më e madhe e tyre rëndë. Pastaj kishim sulmin e armatosur ndaj policëve të Kosovës nga forcat paramilitare serbe, të cilat dukej hapur se kishin mbështetjen nga Serbia. Këtë sulm të armatosur, që nga fillimi Austria e ka dënuar në mënyrë të qartë dhe të vendosur dhe ka kërkuar që përgjegjësit e këtij sulmi të dalin para drejtësisë. Në fund të vitit pastaj kishim disa hapa pozitivë, siç është njohja e ndërsjellë e targave të makinave, pastaj është marrëveshja për energjinë elektrike, pra janë hapa që ishin mjaft pozitivë. Ndërkaq, për sa i përket njohjes së ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duket se mungon gatishmëria e të dyja palëve. Ajo që palët duhet të bëjnë, është zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura përmes dialogut gjatë gjithë këtyre viteve dhe të shmangin veprimet, që mund të çojnë në eskalimin e situatës.
Radio Kosova: Vetë procesin e dialogut si e vlerësoni, pasi duket se ka hezitim në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, siç përmendët edhe ju?
Georg Schnetzer: Para së gjithash, dua të theksoj se dialogu që po zhvillohet me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është rruga e vetme realiste për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën janë pajtuar edhe palët dhe kjo po mbështetet fuqishëm nga bashkësia ndërkombëtare. Hapi vendimtar i radhës, është zbatimi i marrëveshjes së Brukselit, e arritur në shkurt të 2023 dhe aneksin e marrëveshjes së Ohrit, të marsit të vitit 2023. Të dyja palët janë të vetëdijshme se çfarë pret prej tyre Bashkimi Evropian, se cilët hapa duhet t’i ndërmarrin ata. Kosova duhet të realizojë statutin e Komunave me shumicë serbe dhe ky do të ishte një hap tejet i rëndësishëm, që duhet të merret sa më shpejt që të jetë e mundur nga pala kosovare.
Radio Kosova: Sipas qëndrimit austriak, çfarë kompetenca duhet të definohen përmes këtij statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe?
Georg Schnetzer: Tashmë ka një draft të këtij statuti, të përpiluar nga Bashkimi Evropian dhe unë besoj se është mirë që të orientohemi rreth këtij drafti. Është një nen që thotë se ky draft-statut, duhet të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese dhe unë mendoj se hapi i radhës do të duhej të ishte që draft-statuti, me një akt ligjor përkatës, të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, që ajo ta thotë fjalën e saj.
Radio Kosova: Sido që të jetë, zoti Ambasador, ky statut, Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nuk duhet të jepte kompetenca ekzekutive?!
Georg Schnetzer: Unë mendoj se tashmë është thënë shumë herë, se ky statut i Asociacionit të komunave serbe, duhet të jetë në harmoni me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe nuk duhet të ketë kurrfarë kompetenca ekzekutive. Siç e dimë, ky draft-statut, të cilin e ka të njohur Qeveria, nuk është bërë publik, por sidoqoftë, Qeveria duhet që sa më shpejt të jetë e mundur, të punojë në jetësimin e këtij statuti.
Radio Kosova: Ia keni thënë këto kryeministrit Kurti kur keni zhvilluar takime me të?
Georg Schnetzer: Në kontaktet që kemi me pjesëtarët e Qeverisë, kjo është një temë që vazhdimisht është në tavolinë. Natyrisht, Qeveria është në dijeni të qëndrimit të BE-së dhe Austrisë, se duhet të zbatojë sa më shpejt që është mundur këtë qëndrim.
Radio Kosova: Zoti Ambasador, këto ditë, aktuale është vendimi i BQK-së për dinarin, i cili sipas Qeverisë së Serbisë, prek qytetarët serbë në Kosovë. Ju çfarë qëndrimi keni?
Georg Schnetzer: Fillimisht më duhet të them se kjo masë për euron, si valutë e vetme për pagesa, dhe heqjen e dinarit, nuk prek vetëm qytetarët serbë të Kosovës, por edhe komunitetet e tjera si dhe një pjesë të qytetarëve shqiptarë të Kosovës, që për vite të tëra marrin pensionet në dinarë nga Serbia. E drejta ligjore dhe pavarësia e Bankës Qendrore të Kosovës as që vihet në dyshim as nga Austria as nga BE-ja. Nxjerrja e kësaj rregulloreje erdhi shpejt dhe befasishëm brenda një afati shumë të shkurtër. Rregullorja u bë e ditur në mes të janari dhe hyri në fuqi më 1 shkurt. Mendoj se do të kishte qenë mire, që njerëzve t’u jepet një kohë e duhur për të bërë ndryshimin. Prandaj edhe tani apelojmë që të gjenden alternativa për pagesa me dinarë dhe të informohen qytetarët e prekur nga kjo masë, në mënyrë që të kenë kohën e duhur për t’u përshtatur me rregulloren e re deri sa të vijë koha që rregullorja të bëhet tërësisht e plotfuqishme. Ditëve të fundit kanë ardhur sinjale si nga Banka Qendrore, ashtu edhe nga Qeveria, ndonëse nuk kanë qenë sinjale të unifikuara dhe shpresojmë se do të punohet për të informuar në mënyrë intensive qytetarët e prekur. Pra, mbetet të shpresojmë se do të gjendet një zgjidhje e përbashkët alternative. Njësoj të paparalajmëruara ishin edhe aksionet për mbylljen e strukturave paralele në disa komuna të Kosovës. Edhe pse këto struktura nuk janë legale dhe kanë funksionuar më shumë se 20 vite, do të kishte qenë mirë që qytetarët, që preken, të informohen pasi mënyra e paparalajmëruar dhe pa u këshilluar, sigurisht nuk i ndihmon deeskalimit të situatës, apo krijimit të besimit te të prekurit.
Radio Kosova: Për sa i përket gjendjes së sigurisë, mendoni se mund të ketë tensione të reja ndërmjet Kosovë dhe Serbisë, si ajo me 24 shtator në Banjske? Kryeministri Kurti dhe Presidentja e vendit paralajmërojnë vazhdimisht në fjalimet e tyre, se Kosova kërcënohet me luftë nga Serbia dhe kjo në një farë mënyrë ka krijuar një psikozë pasigurie në Kosovë?
Georg Schnetzer: Kjo situatë nuk është e mirë për rininë, për popullatën, nuk është e mirë edhe për investitorët e huaj potencialë. Unë vetëm mund të shpresoj se do të ketë një shtensionim të situatës. Duhet që përmes dialogut të gjenden zgjidhje pragmatike ashtu siç ndodhi me tabelat e makinave dhe marrëveshjen për energjinë. Edhe në rastin e dinarit, ka hapësirë që të gjendet një zgjidhje, që njerëzit edhe në të ardhmen të marrin pensionet, ndihmat sociale dhe financiare dhe që ndihmat nga Serbia të vazhdojë të vijnë për qytetarët serbë edhe pas vendimit, që euro të jetë valuta e vetme për pagesa në Kosovë.
Radio Kosova: Ju përmendet faktin se situata e tensionuar e sigurisë nuk është e mirë për investitorët e huaj potencialë. Çfarë duhet të bëjë Kosova për të tërhequr investimet austriake në Kosovë?
Georg Schnetzer: Para së gjithash, dua të theksoj se Austria është në mesin e pesë vendeve me më së shumti investime në Kosovë dhe kjo tash e disa vite. Banka më e madhe dhe dy nga katër kompanitë më të mëdha të sigurimeve në Kosovë janë nga Austria. Edhe tregtia ndërmjet dy vendeve, sidomos në nëntë muajt e fundit të vitit 2023 ka pasur zhvillime shumë pozitive. Tani të vijë te pyetja juaj: çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kosovës për të tërhequr investimet austriake në vend? Me lejoni të ju përgjigjem me një kundërpyetje: Çfarë i pengon investitorët potencialë austriakë për të investuar në Kosovë?! Përgjigja është, së pari imazhi i vendit për shkak të situatës politike. Në Austri, por edhe vende të tjera për shkak të zhvillimeve jo stabile në fushën e sigurisë, Kosova asocion padrejtësisht me konfliktin, pasigurinë dhe jostabilitetin. Përpjekjet serioze për një normalizim marrëdhëniesh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të mund të ndërronin shumë shpejt këtë imazh dhe do të krijonin kushte për ardhjen e investitorëve të huaj në vend. Së dyti, investitorët kanë edhe më tej hezitim për të investuar në vendin tuaj për shkak të procedurave të shumta dhe të zgjatura burokratike. Një element tjetër që pengon ashtu si më parë, është korrupsioni i përhapur në vend dhe mungesa e sundimit të ligjit. Në këtë aspekt, përkundër përparimit që është bërë viteve të fundit, janë të domosdoshëm hapa të tjerë në përmirësimin e kësaj gjendjeje, për të tërhequr investimet e huaja.
Radio Kosova: Kosova tashme ka parashtruar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, derisa qeveria përditë përsërit qëndrimin për një kurs anëtarësimi në strukturat euroatlantike. A do të mbështesë Austria anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kërkesën për anëtarësim në BE?
Georg Schnetzer: Ne e shohim të ardhmen e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. As që është e diskutueshme kjo çështje. Sa më herët të ndodh kjo, aq më mirë për ne, pasi Ballkani Perëndimor, nuk është ndonjë vend i largët, por ndodhet në oborrin e BE-së, pasi parë në aspektin gjeografik, kufizohet rreth më rreth me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. Lidhjet me BE-në janë aq të ngushta, para së gjithash me Austrinë, sa për ne austriakët, përkrahja e anëtarësimit të gjashtë vendeve në BE si dhe mbështetja dhe përshpejtimi i këtij procesi, është një hap logjik. Nga pikëpamja jonë, procesi i përafrimit me BE-në është duke zgjatur shumë. Ky proces për disa arsye është ngadalësuar dhe penguar për fat të keq. Tani pas sulmeve të Rusisë ndaj Ukrainës, ky proces ka marrë një dinamikë të re. Për ne në Austri, është me shumë rëndësi që gjatë këtij procesi të mos bëhen dallime, në atë mënyrë që për disa vende të ketë një korsi të re tejkalimi, kurse disa vende të tjera, siç janë vendet e Ballkanit Perëndimor, të vazhdojnë të presin në radhë për anëtarësim. Pra, ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm çuarjen përpara të procesit të anëtarësimit në BE për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, prandaj Austria viteve të fundit është angazhuar fuqishëm, që procesi i anëtarësimit në BE, të vazhdojë në mënyrë graduale, dhe kjo do të thotë që vendeve të Ballkanit Perëndimor t’u mundësohet pjesëmarrja në fusha të ndryshme brenda BE-së, siç janë tregu i brendshëm, komunikacioni, hulumtimet shkencore, mbrojta e ambientit e fusha të tjera, edhe para se ato t’i plotësojnë të gjitha kushtet për një anëtarësim të plotë. Kjo në asnjë rast nuk duhet të kuptohet si një zëvendësim për anëtarësim të plotë, por si një proces hap pas hapi drejt integrimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Radio Kosova: Për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në Këshillin Evropian, ekziston mbështetja e Austrisë?
Georg Schnetzer: Po, ne e mbështesim anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës. Tani jemi në pritje të një raporti për këtë çështje dhe ndoshta do të vendosen disa kushte, të cilat duhet të plotësohen për një anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sidoqoftë, Austria është në mesin e atyre vendeve që e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Radio Kosova: A mund të flisni për një perspektivë kohore të anëtarësimit të mundshëm?
Georg Schnetzer: Nuk do të kisha dashur tani të flas për një perspektivë kohore. Është një proces që merr kohë dhe varet shumë nga votimet brenda instancave të ndryshme që ekzistojnë në këtë organizatë, prandaj nuk do të kisha dashur të flas për afate kohore.
Radio Kosova: Një pyetje për bashkëpunimin ndërmjet Austrisë dhe Kosovës në fushën e arsimit. Graci dhe Vjena kanë qenë strehë e studentëve nga Kosova në vitet 90-ta para luftës, kur universitet austriake kishin njohur diplomat e Universitetit të Prishtinës. Tani është edhe liberalizimi i vizave, që ua lehtëson studentëve nga Kosova të synojnë pa pengesa universitetet austriake.
Georg Schnetzer: Vërtet është një histori e gjatë bashkëpunimi. Austria ka qenë një pararendëse kur kishte njohur diplomat e studentëve të Universitetit të Prishtinës në vitet e 90-ta, kur shkollat dhe gjuha shqipe ishte ndaluar. Pra Austria ishte vendi i parë, që pati njohur diplomat nga Kosova, duke ua mundësuar studentëve nga Kosova të studiojnë në Grac e pastaj edhe në Vjenë. Dhe që atëherë, ka një bashkëpunim të ngushtë ndërmjet universiteteve austriake dhe universiteteve në Kosovë. Ka shumë shembuj kur studentë nga Kosova, që kanë kryer studimet në Austri, janë kthyer në Kosovë për të dhënë kontributin e tyre. Në një takim në Universitetin e Prishtinës, kam pasur rastin të njoh shumë studentë që kishin kryer studimet në Austri dhe tani punonin si profesorë në Universitetin e Prishtinës. Ka një bashkëpunim si në nivel të arsimit të lartë ashtu edhe në sektorin e arsimit profesional ndërmjet dy vendeve dhe ka disa projekte që realizohen në këto fusha si HERAS apo ALET etj.
Radio Kosova: Pyetja e fundit: Ju flisni 8 gjuhë të huaj. A keni filluar të mësoni shqip?
Georg Schnetzer: Jam duke mësuar intensivisht shqip dhe shpresoj që vitin tjetër, kur të zhvillojmë një intervistë tjetër, të mund të përgjigjem me disa fjali edhe në gjuhën shqipe. Aktualisht, po ndjek një kurs dhe mund të them se shqipja nuk është gjuhë e lehtë, por kur njeriu ka kontakte të përditshme me gjuhën, është e mundur që të mësohet ngadalë.
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...