OSBE: Projektligji për KPM-në të mos ketë kufizime dhe ndikim të padrejtë në media

16:36 | 13 Shkurt 2024
E.G

Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë ka thënë të martën se Projektligji për Komisionin e Pavarur për Media (KPM), i cili synon rregullimin e mediave online, duhet ta shmangë çfarëdo kufizimi të papërshtatshëm të lirisë së shprehjes dhe çfarëdo ndikimi të padrejtë në përmbajtjen mediatike.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, OSBE tha se e “mirëpret” synimin e Qeverisë për ndryshim dhe plotësimin e Ligjit për KPM-në në përputhje me direktivën e Bashkimit Evropian, për të siguruar “një kuadër më të zbatueshëm për mbrojtjen e konsumatorëve, promovimin e diversitetit kulturor dhe pluralizmin mediatik”.

Por, ajo e theksoi rëndësinë e nxitjes së një “mjedisi të favorshëm për vetërregullimin e mediave në internet, të bazuar në parimet e lirisë, përgjegjësisë dhe respektimit të të drejtave të njeriut dhe vlerave demokratike”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës, por edhe një grup i organizatave ndërkombëtare i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të heqë dorë nga ndryshimet në këtë ligj.

Ata e kanë parë këtë legjislacion si “sulm” ndaj mediave, duke shprehur drojën se ekzekutivi mund ta përdorë këtë ligj për të censuruar mediat.

OSBE-ja tha se “çdo legjislacion i ri duhet të sigurojë se nuk dobëson rolin e rëndësishëm të Këshillit të Mediave të Shkruara në vetërregullimin efektiv, duke përfshirë edhe për sa i përket përmbajtjes mediatike në internet”.

Në herët gjatë ditës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se ndryshimet në këtë legjislacion duhet të bëhen në atë mënyrë që nuk do të kenë “ndikim negativ” në lirinë e mediave.

I ashtuquajturi Projektligj për Komisionin e Pavarur të Mediave, është miratuar nga Qeveria më 27 dhjetor të vitit të kaluar, dhe është dërguar për miratim në Kuvendin e Kosovës.

Legjislacioni parasheh që mediat online, që prodhojnë video, duhet të regjistrohen si biznes. Me ndryshimet, KPM-ja do të ketë mandat të monitorojë edhe punën e mediave online që prodhojnë përmbajtje audio-vizuale.

Ndryshimet në legjislacion parashohin gjoba deri në 40.000 euro për mediat që bëjnë shkelje të ndryshme ligjore.

Aktualisht, tekstet e publikuara në mediat online monitorohen nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës. Ai nuk gjobit mediat për gabimet e tyre, por merr vendime për ankesat e bëra ndaj mediave dhe më pas vendimet e Këshillit mund të përdoren për të ngritur padi civile ndaj mediave nëpër gjykatat e Kosovës.

Ndërkohë, përmbajtja audio-vizuale e publikuar në mediat online nuk monitorohet nga askush. Këshilli i Mediave të Shkruara, ka thënë se në shumicën e rasteve videot e publikuara shoqërohen me një tekst për të njëjtën temë dhe kështu bëhet monitorimi edhe i tyre.

Në Raportin e fundit të Progresit të Komisionit Evropian është thënë se “amendamenti, që është aktualisht në proces, do të duhej ta harmonizonte më tej Ligjin me Direktivën e Shërbimeve të Mediave Audio-Vizuale për t’i shtrirë kompetencat e tij edhe në mediat audio-vizuale online”.

Të ngjashme