Parlamenti maqedonas shtyn në 31 dhjetor vlefshmërinë e patentave me “Maqedoni”

09:34 | 13 Shkurt 2024
K.B

Problemet e pajisjes me patenta të reja me mbishkrimin “Republika e Maqedonisë së Veriut” shtyu të hënën parlamentin maqedonas të vendosë 31 dhjetorin si datën e fundit kur qytetarët mund të vazhdojnë të qarkullojnë me lejet ekzistuese.

Me 110 vota “pro”, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët miratuan ndryshimet në ligjin për sigurinë rrugore, që patentat e shoferit me shkrimin “Republika e Maqedonisë” të jenë ende të vlefshme.

Deputetët propozues shpjeguan se qëllimi është që të gjendet një zgjidhje e shpejtë në interes të qytetarëve për t’i liruar ata nga presioni shtesë për nxjerrjen e dokumenteve personale. Kryeministri teknik Talat Xhaferi dha mbështetjen e tij ndaj propozimit pas takimeve me grupet parlamentare.

Kaosi me lejet e qarkullimit detyroi një ditë më parë disa kompani transportit të anulojnë udhëtimet e planifikuara në vijim, ndërsa po afrojnë pushimet pranverore si dhe sezoni i udhëtimeve.

Zëvendësimi i dokumenteve personale, pasaportave, letërnjoftimeve dhe lejeve të qarkullimit është detyrim për shtetasit e Maqedonisë së Veriut, bazuar në Marrëveshjen e Prespës me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit, më 17 qershor 2018.

Për kaosin e krijuar para sporteleve, institucionet kanë fajësuar edhe qytetarët, të cilët, sipas tyre, e kanë pritur momentin e fundit para datës limit të 13 shkurtit për zëvendësimin e dokumenteve./rtsh.al/

Të ngjashme