“Shëndetësia në kaos dhe dështim total”, Haxhiu numëron problemet

12:08 | 11 Shkurt 2024
K.B

Gjendja në sektorin e shëndetësisë në Kosovë vazhdon të jetë e mjerueshme.

Ani pse çdo ministër që vjen në krye të këtij dikasteri premton progres, një gjë e tillë tash e sa kohë nuk po shihet.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, i cili është edhe pjesë e Komisionit Parlamentarë për Shëndetësi për Arbresh.info, thotë se gjendja në shëndetësi është e mjerueshme.

Ai, tregon problemet e vazhdueshme me të cilat po përballet shëndetësia në Kosovë.

Sipas tij, ikja e mjekëve dhe mosmiratimi i ligjit për sigurimet shëndetësore, janë gjëra që po e rëndojnë gjendjen në Shëndetësi e që Qeveria nuk ka bërë asnjë hap.

“Gjendja e shëndetësisë është e rënduar sigurisht tani edhe pas ikjes së një pjese të madhe të mjekëve dhe profesionistëve shëndetësor gjendja po vazhdon duke u rënduar. Nuk kemi pas asnjë masë nga Qeveria për përmirësim të sistemit shëndetësor. Dështim në investime kapitale, dështim në miratim të ligjeve për sektorin e shëndetësisë. Paramendojeni Ligji për Shëndetësi dhe Ligji për Sigurime Shëndetësore ka qenë në agjendë legjislative në vitin 2021, 2022 është përsërit, 2023 është përsërit dhe tani në 2024 prapë ligjet e njëjta. Për katër vjet nuk kanë qenë në gjendje t’i draftojnë tri ligje dhe nuk ka asnjë reformim në sektorin e shëndetësisë”, shprehet Haxhiu.

Sipas tij, pacientët detyrohen t’i blejnë vet barnat, gjendja është jo e mirë me lista të gjata të pritjes në shumicën e klinikave dhe pacientët detyrohen që shërbimet shëndetësore të i marrin jashtë vendit.

Ani se Ligji për Çmimin e barnave është miratuar, Haxhiu shpreson që ky ligj të mos keqpërdoret për kontrabandim të tyre.

“Kemi propozuar si Parti Demokratike ligjin për çmimin e barnave është refuzu nga kjo mazhorancë pastaj me një vonës prej dy viteve është sjell dhe është votu vitin e kaluar. Ka pasur një çështje që do të duhej vërtet të rregullohej mirëpo të shohim në praktik se sa do të jetë i zbatueshëm dhe sa do të respektohet. Shpresoj që të mos jetë pretekst për kontrabandimin e barnave ose futjen ilegale të barnave në Kosovë që kjo vërtetë do të rrezikonte shëndetin e pacientëve por do të jetë edhe humbje për buxhetin e shtetit”, pohon Haxhiu.

Ai përmend edhe rastin e vetë zyrtarëve të ATK-së të involvuar në tregti ilegale të barnave.

Mes tjerash, deputeti i PDK-së tregon për fokusin kryesor që Ministra e Shëndetësisë duhet ta ketë prioritet.

“Mendoj që ajo që vuajnë qytetarët sot është mungesa e ofrimit të shërbimeve shëndetësore kualitative edhe mungesa e sigurimeve shëndetësore. Do të duhej që të kemi sigurime shëndetësore, që qytetari me kartelë shëndetësore të merr këto shërbime dhe të blej barna. Mirëpo ajo që tha ministri në Komision ishte që deri në vitin 2031 do të ketë sigurime shëndetësore shpresoj ta kem keqkuptuar ose ta ketë keqkuptuar në atë që ai vet e tha. Por nuk do të ketë sigurime shëndetësore as për këtë qeveri. Sigurisht që Kosova ka potencial të kuadrove shëndetësor dhe njerëzve që din me bo sigurime shëndetësore dhe me ofru shërbime shëndetësore”, deklaron ai.

“Këta nuk ishin në gjendje që për tri vite një strategji të shëndetësisë me miratu me sjell në Kuvend, nuk mund të presim që të paktën ta zbatojnë atë kur kanë bërë tri vite me e shkru një strategji dhe nuk kanë qenë të aftë”, shtoi Haxhiu.

Haxhiu e sheh si të nevojshme ndërtimin e Spitalit të Prishtinës.

“Sigurisht që është i nevojshëm për të reduktuar fluksin e madh të pacientëve të komunës së Prishtinës të Obiliqit, Fushë Kosovës, Podujevës, Lipjanit sepse ata nuk kanë spital të nivelit sekondar dhe krejt ata i marrin shërbimet në QKUK përjashtimisht ato që marrin në sektorin primarë. Por se kjo do të reduktonte numrin e madh të pacientëve që janë në QKUK dhe do të i shërbente më mirë qytetarëve të këtij vendi’, theksoi ai.

Për Haxhiun Ministria e Shëndetësisë është në dështim total.

“Tani unë nuk jam për cilësime individuale, unë e shoh sistemin. Sistemi jonë shëndetësor nuk është i mirë, është në gjende të rëndë, ka mungesë të ofrimit të shërbimeve shëndetësore, ka lista të gjata të pritjes ka mungesë të përmirësimit të legjislacionit nuk ka strategji prandaj si ministri të shëndetësisë e vlerësoj dështim total”, tha në fund Haxhiu./Arbresh.info/ Ejona Hyseni/

Të ngjashme