Google ADS

Prishja e koalicionit LDK-PDK në Prishtinë, analistët: Humbës është PDK-ja

16:05 | 9 Shkurt 2024
K.B

Të enjten është mbajtur seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit komunal të Prishtinës ku u anulua vendimi për këmbimin e pronave në Badovc, ndërsa pas vendimit për anulim është prishur koalicioni ndërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës në kryeqytet.

Njohësi i çështjeve politike, Arbnor Sadiku ka thënë se pas prishjes së koalicionit mes këtyre dy partive, ka gjasa që të krijohet një koalicion i ri ose të vazhdoj

Kryetari i Prishtinës të qeverisë kështu, pasi buxheti është votuar.

“Koalicioni është prishur ndërmjet LDK së dhe PDK së, gjasat janë të krijohet një koalicion i ri, ose të vazhdoj kryetari Rama të qeveris kështu sivjet, pasi që buxheti është votuar dhe tanimë nuk i duhet shumë partneriteti, përveç se mund ketë koalicion për marrjen e ndërmarrjeve publike nga VV dhe PDK, por, sa i përket ekzekutivit Rama qeveris pa probleme, kurse, në vitin e fundit qeverisës mendoj se opozita e voton buxhetin vetëm që mos të shkoj Kuvendi Komunal ne zgjedhje sepse disa prej atyre asamblistëve mund humbin pozitat aktuale”, tha Sadiku.

Sadiku tutje theksoi se humbësi më i madh pas prishjes së koalicionit është PDK-ja.

“Në momentin qe po flasim, humbës me madhe në prishje të koalicionit është PDK ja, sepse përveç që ka humbur pushtetin në Prishtinë, nuk po qëndron mirë në sondazhe as në nivel vendi, e as nuk ka mbajtur zgjedhjet e brendshme partiake”, pohon ai.

Gjithashtu analisti, Artan Muhaxhiri thotë se arsyeja e prishjes së koalicionit është tejet naive.

Sipas tij edhe pas tri viteve këto dy parti nuk kanë arritur që të vetëdijesohen për hollin e tyre opozitar dhe të përgatiten për zgjedhjet e reja.

“Mirëpo, arsyeje naive krejtësisht joparimore me të cilën u zhbë ky koalicion fletë shumë negativisht edhe për PDK-në edhe për LDK-në dhe tregon që këto dy parti fatkeqësisht që edhe pas tri viteve nuk kanë arritur që të vetëdijesohen për hollin e tyre opozitar dhe të përgatiten për zgjedhjet e reja në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha ai.

Sa i përket që LDK-ja të hyj në një koalicion me LVV, ai shprehet se është krejtësisht e pamundur sepse sipas tij, kjo do të ishte jashtëzakonisht negative për LVV.

“Komuna e Prishtinës në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje, kjo do të ishte jashtëzakonisht negative për LVV dhe nuk do të duhet të kishim një koalicion funksional që nuk do të mund të adresonte nevojat e qytetareve të Prishtinës“, thotë Muhaxhiri.

Sipas tij, zgjidhja funksionale do të ishte që të shkohet ne zgjedhje te reja për asambleistët.

Ndryshe, në një përgjigje për Arbresh.info nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Alban Zogaj, ka thënë se jemi duke analizuar situatën e re dhe do të merren veprimet e radhës.

Tutje, ai ka thënë se nuk ka nevojë për zgjedhje të tjera në Komunën e Prishtinës dhe se sa i përket se a do të hyj LDK-ja me ndonjë parti tjetër në koalicion, ai ka thënë se do të shohim në ditët në vazhdim.

“Ne po analizojmë situatën e re dhe do të marrim veprimet e radhës. Nuk ka nevojë për zgjedhje, Asambleja vazhdon funksionimin. Do të shohim në ditët në vazhdim. Dhe do të ju njoftojmë.”, përfundoi ai.

Krisja mes koalicionit qeverisës ka ndodhur një javë më par, kur kryetari i Prishtinës Përparim Rama shkarkoi fillimisht drejtorin e Shërbimeve Publike, Ilirik Musliun dhe pak ditë më pas edhe nënkryetaren e Prishtinës, Donjeta Sahatçiun./Arbresh.info/Edona Krasniqi/

Të ngjashme