Google ADS

Ferizaj, shkolla ekonomike e nis edhe këtë gjysmëvjetor në objektin e vjetër

16:03 | 5 Janar 2016
M. A.

Gjysmëvjetori i dytë i viti shkollor 2015/2016 në komunën e Ferizajt ka nisur sot pa probleme. Bazuar në raportet nga terreni, por edhe nga të dhënat e Drejtorisë komunale të Arsimit, në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme të komunës nuk ka pasur probleme të natyrës teknike.

Por, ndonëse ishte paraparë që në këtë gjysmëvjetor nxënësit e Shkollës së Mesme Ekonomike”Faik Konica”, mësimin ta nisin në objektin e ri, kjo nuk ka ndodhur nga fakti se disa punime në këtë shkollë nuk kanë përfunduar.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Ferizaj, Muhamet Halili, ka thënë se kushtet klimatike që po mbajnë gjatë kësaj periudhe kanë ndikuar që edhe pak punë që kanë mbetur aty të mos kryhen dhe kështu të shtyhet edhe procesi i zhvendosjes së nxënësve në këtë objekt.

“Ky objekt është projekt i MASHT-it, por aty kanë mbetur edhe pak punë që të kryhen dhe objekti të jetë i gatshëm. Nga ana jonë ne i kemi kryer të gjitha përgatitjet, kemi furnizuar shkollën edhe me lëndë djegëse, besojmë se në këtë gjysëmvjetor të bëhet vendosja e nxënësve, më së largu deri në pushimin pranveror”, ka thënë Halili.

Bëhet e ditur se në gjimnazin shoqëror “Dr.Shaban Hashani”, DKA-ja tashmë ka marrë vendim për formimin edhe të dy paraleleve të reja të klasave të dhjeta, me qëllim të zvogëlimit të numrit të nxënësve nëpër klasa.

Halili ka thënë se këto paralele do të formohen në pjesën që i takon shkollës fillore”Gjon Serreçi” dhe se menjëherë do të fillohet me shpërndarjen e nxënësve.

”Ky ka qenë një problem që na ka përcjellë në gjysmëvjetorin e parë, kjo ka qenë mënyra e vetme për ta zvogëluar numrin e nxënësve nëpër paralelet e klasave të dhjeta”, ka thënë Halili.

Ndryshe, të gjitha shkollat e komunës me kohë janë furnizuar me lëndë djegëse, ndërsa autoritetet kanë thënë se qysh dje për shkak të kushteve atmosferike, shkollat kanë testuar sistemet e ngrohjes , të cilat kanë dalë që të jenë në gjendje të mirë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme