Bislimi priti në takim deputetë nga Bundestagu gjerman, i njofton me situatën në vend

16:08 | 8 Shkurt 2024
E.H

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, priti në takim një delegacion të përbërë nga deputetë të Bundestagut gjerman.

Deputetët gjermanë u shoqëruan në këtë takim dhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, përcjell Arbresh.info.

Gjatë bashkëbisedimit, Bislimi i falënderoi deputetët gjermanë për vizitën në Kosovë, duke shprehur mirënjohjen për kontributin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë në shtetndërtimin e Kosovës, progresin dhe zhvillimin e vendit.

Ai i prezantoi më tej deputetët me situatën në vend dhe objektivat e synimet e qeverisë, duke veçuar ato në integrimin evropian si proces me prioritet të lartë për vendin tonë, si dhe të arriturat në rrafshin ekonomik në indikatorë relevantë dhe atë të sundimit të ligjit.

Bislimi theksoi se secilën politikë të cilën po e zbatojmë, e ka vetëm një qëllim, e atë në përmirësimin e jetës së të gjithë qytetarëve të vendit.

“Më tej u cekën dhe tema si arritja e liberalizimit të vizave, bashkëpunimi rajonal, procesi i dialogut dhe akti i agresionit të Banjskës. Mbi këtë të fundit, deputetët Josip Juratovic dhe Thomas Hacker, përgëzuan Policinë e Kosovës për reagimin e matur dhe shfaqën shqetësimin për arsenalin e madh të armatimit të gjetur”, thuhet në njoftimin për media.

Në përfundim,  Bislimi i falënderoi përsëri deputetët për vizitën si dhe për bisedën e zhvilluar dhe pikëpamjet e ndara./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme