Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka depozituar sot në Kuvendin e Shqipërisë, amendamentin për disa ndryshime në Projektligjin “Për miratimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë”.
Si pjesë të strategjisë së sigurisë kombëtare, kryetari i PD-së propozon dhe përfshirjen e mbështetjes nga Republika e Shqipërisë për Republikën e Kosovës në formën e ndihmës financiare për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë në vlerën prej së paku 5 miliardë lekë në vit, duke filluar nga viti 2024.
Burimet brenda PD-së bëjnë të ditur se deputetët e kësaj force politike do ta votojnë strategjinë nëse pranohet amendamenti për mbështetjen financiare për Kosovën.
Propozimi i dytë lidhet me trajtimin e rrezikut që vjen nga korrupsioni në nivele të larta. Për këtë kryetari i PD propozon përfshirjen në strategjinë e sigurisë kombëtare të fuqizimit të bazës ligjore dhe instrumentave të kontrollit të integritetit të figurës së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë të shtetit.
“Sulmi terrorist i 24 shtatorit 2023 në Kosovë nuk ishte një incident i izoluar. Përpjekja për të inskenuar tensione permanente në disa vende të rajonit dhe në veçanti infiltrimi i strukturave të armatosura paraushtarake në Kosovë për të orkestruar marrjen me dhunë të një pjese të territorit të një shteti të pavarur, tregojnë qartë për një strategji destabilizimi dhe zhytjen e Ballkanit Perëndimor në kaos dhe minimin e krahut juglindor të NATO-s”, argumenton kreu demokrat në draft amendamentin e tij të depozituar tashmë në Kuvend.
Sipas Bashës, “mbrojtja dhe siguria e integritetit territorial, kapaciteteve të sigurisë dhe funksionimit të institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës, janë prioritete të sigurisë kombëtare të Republikës së Shqipërisë, që burojnë jo vetëm nga detyrimi kushtetues, por gjithashtu dhe në kuadër të angazhimeve ndërkombëtare për të siguruar, paqe, stabilitet dhe rritje të bashkëpunimit në rajonin tonë drejt së ardhmes dhe vlerave euro-atlantike. Në vijim të frymës së parimeve të parashtruara më lartë, Republika e Shqipërisë duhet të japë një kontribut real aktiv ndaj Republikës së Kosovës në formën e ndihmës financiare për nevoja të mbrotjes dhe sigurisë në vlerën prej së paku 5 miliardë lekë në vit duke filluar nga viti 2024.
Ky kontribut aktiv financiar i Republikës së Shqipërisë për Republikën e Kosovës duhet të ofrohet me qëllimin rritjen e kapaciteteve të saj të sigurisë për të penguar me çdo kusht aktorë të tretë që synojnë të shfrytëzojnë çështjet ndëretnike për të influencuar zhvillimet e brendshme politike, dhe amplifikuar problematikat ekzistuese me qëllim destabilizimin e rajonit dhe përkeqësimin e parametrave të sigurisë”.
Propozimi i dytë lidhet me trajtimin e rrezikut që vjen nga korrupsioni në nivele të larta.
“Korrupsioni përbën një kërcënim të qartë dhe të pranishëm ndaj sigurisë kombëtare dhe kërkon një përgjigje në përputhje me frymën dhe vendimet e aleatëve tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe Mbretërisë së Bashkuar. Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është prioritet në “Strategjinë e Sigurisë Kombëtare”. lntegriteti i zyrtarëve të lartë publikë është parakusht për një qeverisje demokratike dhe për funksionimin e shtetit të së drejtës. Fakte dhe të dhëna të bëra publike gjatë viteve të fundit provojnë se korrupsioni në nivele të larta, dhe bashkëpunimi mes zyrtarëve të lartë publikë dhe krimit të organizuar është në nivele shqetësuese duke rrezikuar funksionimin normal të shtetit dhe cenuar sigurinë kombëtare.
Pavarësisht zhvillimeve të fundit në fushën e drejtësisë penale korrupsioni mbetet i theksuar dhe ka një ndjesi të publike të pandëshkueshmërisë ndaj politikanëve dhe zyrtarëve publikë. Fuqizimi i bazës ligjore dhe instrumentave të kontrollit të integritetit të figurës në politikë dhe qeverisje ndihmojne luftën kundër korrupsionit duke i shërbyer drejtpërsëdrejti forcimit të sigurisë kombëtare”, shprehet Basha në argumentet me të cilat ka shoqëruar amendamentin e tij.
Pak ditë më parë, kreu i PD Basha dorëzoi edhe një amendament për rialokimin e 50 milion eurove nga buxheti i shtetit si ndihmë ushtarake për Kosovën./tch
Thaçi: Bajrami e kishte denoncuar projektin për të cilin po ...
Rafuna: Partneriteti me Dubain për rritjen e investimeve str...
Abdixhiku i del në mbrojtje Bajramit: Po sulmohet jo rastësi...
Vrasja me thikë e 14-vjeçarit, Begaj: Të reflektojmë si shoq...
Veliaj i dhuron “Çelësin e Qytetit” ish- kryebashkiakut Enri...
Xheneta e ashpër me Xuxin: Fol shqip, jo gjuhë tjetër