Blinken thotë se ende ka punë për arritjen e një armëpushimi në Gazë

17:39 | 7 Shkurt 2024
E.K

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se “ende ka shumë punë” për të tejkaluar dallimet mes Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – për kushtet e një marrëveshjeje të re armëpushimi dhe lirimin e pengjeve.

Këtë deklaratë kryediplomati amerikan e bëri pasi grupi radikal palestinez paraqiti disa kushte për një marrëveshje të tillë, të cilat bien ndesh me qëllimet e luftës që Izraeli ka vendosur.

Hamasi ka shpalosur një plan prej tri fazash, që do të zbatohej në një periudhë prej katër muajsh e gjysmë, duke çuar drejt fundit të luftës dhe lirimit të të gjitha pengjeve, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, dhe përfundimin e luftës.

Izraeli ka vendosur si qëllim shkatërrimin e aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, por plani i prezantuar nga grupi radikal në mënyrë efektive do ta linte atë në pushtet në Gazë, dhe do t’i mundësonte që të rindërtonte aftësitë ushtarake.

Hamasi përgjigjet ndaj planit për armëpushim në Gazë
Blinken më 7 shkurt u takua në Izrael me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë vizitës së tij të pestë në rajon, që kur shpërtheu lufta Izrael-Hamas më 7 tetor.

“Ka shumë punë për të bërë, por ne jemi shumë të përqendruar që ta përfundojmë këtë punë dhe me shpresë

Lufta mes Izraelit dhe Hamasit – që është konflikti më vdekjeprurës mes palëve në histori – nisi pasi Hamasi kreu sulm më 7 tetor në jug të Izraelit, duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

Izraeli u kundërpërgjigj me një ofensivë tokësore, ajrore dhe detare në Rripin e Gazës, shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi, deri më tani janë vrarë mbi 27.000 palestinezë. Kjo ministri nuk bën dallimin mes civilëve dhe luftëtarëve të vrarë, por ka thënë se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme