Dhoma e Përfaqësuesve nuk e ka kaluar një projektligj të mërkurën, sipas të cilit Shtetet e Bashkuara do ta ndihmonin Izraelin me 17.6 miliardë dollarë, pasi demokratët thanë se duan një projektligj ku do të përfshihej edhe ndihma për Ukrainën, financimi ndërkombëtar humanitar dhe ndihma e re financiare për sigurinë kufitare.
Projektligji i mori 250 vota në favor dhe 180 kundër, duke dështuar të kalojë për shkak se u hodh në votim me procedurë të përshpejtuar, gjë që kërkonte dy të tretat e shumicës për të kaluar.
Ndihma për Izraelin – njërin prej vendeve të huaja që gëzon mbështetjen më të madhe amerikane – tradicionalisht ka marrë përkrahje të fuqishme dypartiake në Kongres. Por, shumë kundërshtarë e cilësuan legjislacionin e Dhomës së Përfaqësuesve si dredhi politike nga republikanët për ta shpërqendruar vëmendjen nga kundërshtimi i tyre ndaj një projektligji prej 118 miliardë dollarëve, i cili përfshin një ndryshim të politikës amerikane për emigracionin dhe mbështetjen e re financiare për sigurinë kufitare, miliarda dollarë ndihmë emergjente për Ukrainën, Izraelin dhe partnerët në rajonin Indo-Paqësor.
Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson, kishte thënë se projektligji i Senatit mbërriti “i vdekur” në Dhomë, edhe para se të prezantohej. Liderët republikanë të Senatit nuk kishin pritur që projektligji të merrte vota të mjaftueshme.
“Me këtë nuk arrihet asgjë dhe vetëm vonohemi për t’u dërguar ndihma aleatëve tanë. Aleatët tanë po përballen me kërcënime ekzistenciale dhe miqtë dhe armiqtë tanë nëpër botë po shikojnë, duke pritur ta shohin se si do të përgjigjet Amerika”, tha Rosa DeLauro, demokratja e Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Ndarje Buxhetore, duke bërë thirrje që projektligji vetëm për Izraelin të mos votohej.
Presidenti amerikan, demokrati Joe Biden, i cili e mbështet projektligjin e Senatit, ishte zotuar se do të përdorte veto ndaj projektligjit të republikanëve për ndihmë vetëm për Izraelin në Dhomën e Përfaqësuesve.
Anëtarët e Kongresit janë duke hasur në vështirësi tash e disa muaj për ta gjetur një mënyrë se si të dërgojnë ndihma të sigurisë jashtë vendit, posaçërisht në Ukrainë, e cila është duke i luftuar pushtuesit rusë. Bideni i ka dërguar dy herë kërkesa Kongresit për projektligje të shpenzimeve emergjente, së fundmi në tetor.
Dhoma e Përfaqësuesve, ku republikanët e kanë shumicën, e kaloi një projektligj për ndihma vetëm për Izraelin në nëntor, por ai projektligj nuk u dërgua kurrë në Senatin e udhëhequr nga demokratët, sepse negociatorët punuan në kërkesën e Bidenit për një pako më të gjerë për siguri emergjente dhe kërkesat republikane që secila ndihmë e sigurisë të kombinohet me ndryshime në politiken e emigracionit dhe sigurisë në kufi me Meksikën./rel
Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë...
Mot i keq e erëra të forta, komuna e Prishtinës apelon qytet...
Rihapet aeroporti në Londër/ Nuk jepen detaje pas alarmit pë...
Hamza në Rahovec: Jemi adresa e zhvillimit të Kosovës
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri prej tyre th...
A do të “rikthehet” Atilla sonte në BigBrother?