Ndalimi i dinarit, analistët: Porositë amerikane të merren seriozisht

23:36 | 6 Shkurt 2024
E.G

Ndalimi i dinarit me rregulloren e re të BQK-së ka krijuar dy tabore në opinionin publik: ata të cilët thirren në kushtetutshmërinë e vendit dhe ata të cilët mbajnë anën e qëndrimeve të ndërkombëtarëve.

Pikërisht këtë temë e ka trajtuar “RTK Prime” duke sjellë pikëpamjet e analistëve për porositë amerikane ndaj Kosovës, pas deklarimit të ambasadorit amerikan Jeffrey Hovenier pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, duke shprehur kërkesën për shtyrje të vendimit të zbatimit të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës.

Profesori i shkencave politike, Zenun Halili ka theksuar se shumica e njohjeve të shtetësisë së Kosovës kanë ardhur me ndërmjetësimin e SHBA-ve. Si të tilla dhe duke pasur parasysh edhe kontekstin historik para krijimit shtetëror, sipas Halilit raportet me miqtë nuk duhet të dëmtohen për asgjë.

“Unë e di se SHBA-ja respekton kur shteti është për ligjshmëri dhe kushtetutshmëri, por prej asaj çfarë kam parë në mes të komunikimeve të ndryshme me faktorë të ndryshëm është se nuk ka pasur konsultime të nevojshme, të mjaftueshme. Nuk është mirë të marrim një vendim, të qortohemi dhe pastaj ta rikthejmë”, ka thënë Halili, transmeton RTKlive.

Profesori universitar Bujar Dugolli, ka thënë se nëpërmjet qarkullimit disa vjeçar të dinarit në Kosovë është financuar terrorizmi serb. Bazuar në këtë Dugolli ka thënë se kushdo që kërkon ndryshimin e rregullores së re të BQK-së, nuk e respekton kushtetutshmërinë e vendit.

“BQK po tregon se valutë e ligjshme është euro dhe masa transitore që do të jepet (do të shërbejë, v.j.) për të regjistruar serbët bizneset, t’i paguajnë tatime Kosovës dhe me qenë të ligjshëm në veprimtarinë e tyre”, ka thënë ai.

Ish-gjenerali Xhavit Gashi ka thënë se presioni amerikan duhet të merret parasysh dhe se situata është serioze.

“Unë nuk besoj që ambasadori amerikan thotë diçka që është në kundërshtim me interesat e sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës. Nuk besoj që ai thotë diçka që mund të jetë në kundërshtim me atë që ata e kanë mbështet që të krijohet dhe të arrihet deri në këtë masë”, ka thënë Gashi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme