Biden i bën thirrje Kongresit që të miratojë ndihmën për Ukrainën

22:02 | 6 Shkurt 2024
D.H

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje Kongresit që të miratojë një projektligj për migrimin që përfshin edhe ndihmën për Ukrainën, përderisa ligjvënësit po përballen me presion politik nga kandidati kryesor presidencial republikan, Donald Trump, që të mos e miratojnë këtë ndihmë.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Biden u tha ligjvënësve që të miratojnë masën, e cila sipas tij përfshin kërkesat e republikanëve për çështjet e migrimit, dhe që atë legjislacion t’ia dërgojnë atij që ta nënshkruajë në ligj. Ai theksoi nevojën urgjente për të miratuar ndihmën prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën që po përballet me pushtimin rus të nisur nga presidenti Vladimir Putin në shkurt të vitit 2022.

“Koha po kalon. Çdo javë, çdo muaj që kalon pa ndihmë të re për Ukrainën nënkupton se ata do të kenë më pak municione të artilerisë, më pak sisteme të mbrojtjes ajrore më pak mjete që të mbrojnë veten ndaj rusëve”, tha Biden.

Biden tha se ky është moment kritik, duke theksuar se Putini “po pret” që SHBA-ja të heqë dorë nga mbështetja për Ukrainën. Presidenti amerikan paralajmëroi se nëse Uashingtoni dështon të miratojë ndihmën për Ukrainën, ky do të ishte një gabim historik.

“Mbështetja e këtij projektligji nënkupton që të ngrihemi kundër Putinit. Kundërshtimi i legjislacionit është që të veprojmë në favor të tij [Putinit]. Bota po shikon”, tha Biden.

Ai shtoi se kostoja për amerikanët dhe aleatët e Uashingtonit vetëm se do të rritet, nëse kjo ndihmë nuk miratohet.

Biden ia la fajin Trumpit për mosmiratimin e legjislacionit në Senatin amerikan, duke thënë se ish-presidenti amerikan “mendon se kjo është gjë e keqe në aspektin politik për të”, prandaj nuk do të zgjidhë çështjen e kufirit në mënyrë që ta përdorë gjatë fushatës presidenciale të këtij viti.

Gjatë fundjavës, një grup senatorësh nga të dyja partitë njoftuan se kanë arritur një marrëveshje për frenimin e kalimeve të paligjshme në kufirin mes SHBA-së dhe Meksikës. Biden tha se ky projektligj “do të vendosë reformat më të ashpra të sigurisë kufitare që janë vendosur ndonjëherë”.

Presidenti mbajti fjalimin e tij nga Shtëpia e bardhë pasi kishte indikacione se projektligji nuk do të kalonte, për shkak se senatorët republikanë që mbështesin Trumpin, shprehën mospajtimin e tyre për legjislacionin, duke thënë se masat për mbrojtje kufitare janë të pamjaftueshme./rel

Të ngjashme