Një gjykatë në Moskë ka lëshuar një fletarrestim për shkrimtarin e njohur rus, Boris Akunin, i cili është akuzuar për thirrje për “terrorizëm” dhe shpërndarje të “informacioneve të rreme” për ushtrinë ruse.
Akunin njihet ndryshe si Grigory Chkhartishvili.
“Ndaj Chkhartishvilit është dhënë një masë parandaluese e paraburgimit për një periudhë prej dy muajsh nga momenti i ndalimit të tij në Rusi ose ekstradimit”, tha gjykata e Basmanny, më 6 shkurt.
Muajin e kaluar, Ministria e Brendshme e Rusisë e vendosi Akuninin person në kërkim për aktivitet të dyshuar kriminal, megjithëse nuk u përmendën akuza specifike.
Akunin, 67 vjeç, i cili aktualisht jeton në Londër pasi u largua nga Rusia në vitin 2014, ka kritikuar hapur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës nga Rusia, i cili filloi në shkurt të vitit 2022.
Në fillim të këtij muaji, Ministria ruse e Drejtësisë e shpalli Akunin “agjent të huaj”, në një listë ndëshkuese e aplikuar gjerësisht dhe që synon kritikët e regjimit.
Muajin e kaluar, shërbimi monitorues financiar i Rusisë, Rosfinmonitoring, shtoi Akunin në listën e “terroristëve dhe ekstremistëve” pa asnjë shpjegim, por raportet e mediave thanë se kishte nisur një hetim kundër Akuninit lidhur me akuzat e diskreditimit të forcave të armatosura ruse.
Ky veprim u ndërmor më pak se një javë pasi një nga botuesit më të mëdhenj të librave në Rusi, dhe rrjeti më i madh i librarive në vend, njoftuan se kishin hequr dorë nga shkrimtari Akunin dhe një shkrimtar tjetër, Dmitry Bykov, për shkak të komenteve të tyre pro-ukrainase dhe anti-ruse.
Në tetor, të gjitha teatrot ruse që shfaqnin shfaqje të bazuara në veprat e Akuninit, e hoqën emrin e tij nga posterët.
Akunin ishte në mesin e dhjetëra shkrimtarëve rusë që e dënuan hapur agresionin e Rusisë kundër Ukrainës. Më 24 shkurt 2022, menjëherë pas fillimit të pushtimit rus, ai shkroi në Facebook se “filloi një epokë e re e tmerrshme” në Rusi.
“Deri në momentin e fundit nuk mund ta besoja se [presidenti rus, Vladimir] Putin do ta nisë këtë luftë absurde, dhe gabova. Gjithmonë kam besuar se në fund do të fitojë mendja e shëndoshë dhe kam gabuar. Fitoi çmenduria”, kishte shkruar Akunin./Arbresh.info
Takohet për herë të parë grupi punues për hartimin e Strateg...
Presidentja në Kanada: Kosova nga një shtet i shkrumbuar, u ...
Eman Rrahmani tregon si qëndrojnë punët e “Familjes”, ia kth...
Gresa: Moderimi më pëlqen, ama në televizion nuk ma kanë dhë...
Mbyllet pjesa e parë në Gjilan, Llapi në epërsi ndaj Dritës
Begaj mbyll takimet për datën e zgjedhjeve: Opinionet udhëhi...