Sindikata gjermane i bën thirrje stafit të kompanisë Lufthansa që të hyjë sërish në grevë

09:15 | 5 Shkurt 2024
L G

Sindikata e punëtorëve, Verdi, i ka bërë thirrje stafit tokësor të kompanisë Lufthansa në Gjermani që të mërkurën të hyjë në grevë.

Aeroportet në Frankfurt, Mynih, Hamburg, Berlin dhe Duseldorf të Gjermanisë do të preken, tha të hënën herët një zëdhënës i sindikatës së punëtorëve.

“I gjithë stafi tokësor, nga mirëmbajtja e deri te trajtimi i pasagjerëve dhe avionëve, janë thirrur në grevë” shkroi Verdi në një deklaratë më 5 shkurt, duke shtuar se “mund të ketë anulime dhe vonesa të mëdha fluturimesh”.

Greva vjen pas negociatave të vazhdueshme për pagat e Grupit Lufthansa dhe bëhet fjalë për për rreth 25.000 punonjës të ekuipazhit tokësor në Deutsche Lufthansa, Lufthansa Technik dhe Lufthansa Cargo.

Oferta e punëdhënësve, në raundin e dytë të negociatave më 23 janar, u refuzua. Rritja e propozuar e pagave u konsiderua si shumë e ulët.

Më 1 shkurt, Verdi i kërkoi stafit të sigurisë të hynte në grevë në disa aeroporte kryesore.

Greva e së enjtes u thirr për të kërkuar rritje të pagave prej 2.80 euro në orë, për rreth 25.000 punëtorë në firmat private të sigurisë së aviacionit.

Kompanitë e kishin refuzuar kërkesën duke e konsideruar si shumë të shtrenjtë. Sipas tyre, një rritje e tillë do të kushtonte 250 milionë euro në vit. Bisedimet e marrëveshjeve kolektive janë planifikuar të rifillojnë të martën më 6 shkurt.

Të premten e javës së kaluar, më 2 shkurt, stafi i shërbimit tokësor të Verdit hyri në grevë në aeroportin e Hamburgut, gjithashtu me kërkesën për rritje të pagave.

Në shkurt të vitit të kaluar, një grevë 24-orëshe në shtatë aeroporte gjermane kishte ndikuar në fluturimet e gati 300.000 pasagjerëve, pasi sindikatat e punëtorëve kërkonin paga më të mëdha./rel

Të ngjashme