Google ADS

Zbulohen ndryshimet në kodin penal, partnerët me dy bashkëjetesa njëkohësisht dënohen me burg deri në 3 vjet

22:14 | 4 Shkurt 2024
D.H

Sipas kodit të familjes në Shqipëri, dy të rritur, të cilët lidhen në martesë kanë të drejta dhe detyrime, mes të cilave është edhe besnikëria.

Ndërsa deri më sot thyerjen e besnikërisë e kemi quajtur si problem moral, në draftin e ndryshimeve të Kodit Penal, kjo do të jetë një vepër penale që do të ndëshkohet deri 3 vite burgim.

Sipas projektligjit të hedhur për diskutim thuhet: Mbajtja e dy ose më shumë martesash në të njëjtën kohë, apo bashkëjetesa me një apo më shumë partnerë/e në të njëjtën kohë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Nëse bigamia vazhdon pas dënimit të parë, dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.

Sipas Kodit të Familjes, bashkëjetesë quhet kur dy individë kanë një lidhje emocionale dhe jetojnë në çift, e karakterizuar nga një jetë e përbashkët, që paraqet një karakter stabiliteti dhe vazhdueshmërie.

Situata e mbajtjes së martesave apo bashkëjetesave paralele nuk është një fenomen i panjohur në vendin tonë. Jo rrallë herë, në media kemi parë burra që bashkëjetojnë me dy gra për të krijuar mundësinë të lënë trashëgimtarë. Në raste të tjera ka pasur raste me burra me disa lidhje paralele, nga të cilat kanë edhe fëmijë. Në raste të caktuara duke përdorur besimin individë të veçantë mbajnë martesa të shumëfishta në të njëjtën kohë.

Rasti më i fundit është ai i mjekut Dervish Hasi, i cili kishte 3 martesa dhe krijoi të 4 me një të mitur 16 vjeç, marrëdhënie për të cilën përfundoi pas hekurave./tch

 

 

 

Të ngjashme