Google ADS

“Do të kërkojmë hetim”, Presidenca reagon lidhur me biografinë e Jakup Krasniqit në faqen zyrtare

16:50 | 4 Shkurt 2024
E.G

Bekim Kupina,  këshilltar për media i presidentes Vjosa Osmani ka reaguar pas raportimit ku Jakup Krasniqi në ëebfaqen e presidencës paraqitej si i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Me anë të një postimi në Facebook, Kupina bën të ditur se nuk kanë qenë të njoftuar për këtë ndërhyrje derisa theksojnë se nga nesër do të kërkohet hetim nga ana e Policisë së Kosovës, Njësia për Krime Kibernetike, shkruan Arbresh.info.

“Presidentja Osmani dhe as stafi i saj politik nuk kanë qenë të njoftuar e as të konsultuar lidhur me ndërhyrjen në tekstin në uebfaqen e Presidencës së Kosovës sa i përket biografisë së ish-U.D.Presidentit dhe Kryetarit të Kuvendit, z.Jakup Krasniqi. Tashmë po hetohet momenti kur është ndërhyrë në tekst dhe nga kush.”, ka shkruar ai.

“Rrjedhimisht, Presidentja Osmani ka kërkuar përgjegjësi të plotë për këtë rast dhe ndërmarrjen e menjëhershme të masave diciplinore për personat përgjegjës. Poashtu, qysh nesër do të kërkohet hetim nga ana e Policisë së Kosovës, Njësia për Krime Kibernetike.”, ka shtuar Kupina.

Ndër të tjera, ai i ka kërkuar falje familjes së Jakup Krasniqit për situatën e krijuar.

“I kërkojmë ndjesë z.Jakup Krasniqi dhe familjes së tij për situatën e krijuar dhe e sigurojmë se një veprim i tillë është bërë pa dijeninë e Presidentes dhe pa autorizim paraparak të askujt nga ekipi i saj.”, përfundoi ai./Arbresh.info/

Të ngjashme