Grupi Ndërkombëtar i Krizave i bëri thirrje Bashkimit Evropian të hedh disa hapa për të lehtësuar një bashkëpunim më të mirë ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe popullsisë së saj serbe dhe të kërkojë alternativa nëse nevojat e këtij komuniteti nuk përmbushen nëpërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Në një raport të publikuar të martën, grupi identifikon dhjetë vende ose rajone të rrezikuara nga konfliktet vdekjeprurëse ose përshkallëzimet e tij në vitin 2024, në të cilin përfshinë edhe marrëdhëniet Kosovë – Serbi krahas luftës së Rusisë në Ukrainë, konfliktit të Izraelit në Gazë si dhe situatës në Afganistan. Në këto vende, thuhet në raport, veprimet e hershme, të drejtuara ose të mbështetura nga Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare të tij, mund të rrisin mundësitë për paqe dhe qëndrueshmëri, thuhet në publikim.
Në pjesën e raportit me titull “Drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, grupi tha se që nga marrja e detyrës në vitin 2021, qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka ndezur tensionet në katër komunat veriore ku serbët etnikë janë shumicë.
“Refuzimi i Kosovës për t’i dhënë autonomi më të madhe popullatës së saj etnike serbe…dhe refuzimi i Serbisë për të njohur statusin e Kosovës si shtet i pavarur, që është thelbësore për zhbllokimin e anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare”, janë çështjet që e mbajnë Kosovën në situatë konflikti me Serbinë”, thuhet në raport.
Grupi thekson se kryeministri Kurti e ka humbur durimin me atë që është parë si një sovranitet i dyfishtë në veri ku Serbia kujdesej për arsimin dhe shëndetësinë për komunitetin serb, ndërsa Kosova për zbatimin e ligjit dhe gjykatat. Zoti Kurti, thuhet më tej, ka vendosur policinë e armatosur rëndë në rajon, ka vendosur një embargo ndaj mallrave serbe që u duhen banorëve, ka dëbuar institucionet serbe dhe ka ndaluar përdorimin e monedhës serbe. Qeveria e tij i ka justifikuar këto hapa pjesërisht duke përmendur kërcënimet e sigurisë, më së fundi në formën e paraushtarakëve serbë të cilët zbuloi se sillnin armatim të nivelit ushtarak nga Serbia në shtator të vitit 2023, thuhet në raport duke iu referuar sulmit të 24 shtatorit kur një grup serbësh të armatosur vrau një pjesëtar të policisë së Kosovës.
Grupi pohon se 10 për qind e serbëve të Kosovës kanë emigruar gjatë vitit të kaluar, duke e cilësuar shqetësuese këtë çështje “qoftë për shkak se kjo flet për shkallën e zhgënjimit të tyre, qoftë për shkak se dëmton rrugën më të besueshme drejt normalizimit, në të cilën Kosova do t’u jepte serbëve një vetëqeverisje thelbësore në këmbim të njohjes de facto nëse jo de jure nga Serbia”.
Grupi i bën thirrje Bashkimit Evropian të inkurajojë Prishtinën që të ripërqendrojë punën e policisë në komunat veriore në përmbushjen e nevojave të komunitetit. Policia e posaçme nuk duhet të përdoret për punë të përditshme të policisë dhe në vend të kësaj duhet të përqendrohet në sigurinë kufitare dhe kërkimin e depove të armëve. Prishtina duhet të dërgojë më shumë oficerë serbishtfolës në rajon dhe të angazhohet për të përmirësuar marrëdhëniet me banorët.
BE-ja sipas grupit, duhet të inkurajojë Prishtinën që të zbusë masat e saj të ashpra të sigurisë në veri, duke përfshirë tërheqjen e njësive të posaçme të policisë duke premtuar lehtësimin e masave kufizuese.
Në raport thuhet se blloku evropian duhet të punojë për t’u siguruar që të plotësohen nevojat e pakicës serbe në veri të Kosovës, veçanërisht në punësim, kujdes shëndetësor dhe shkollim.
“Nëse kjo nuk mund të bëhet brenda kuadrit për autonomi të pjesshme…nëpërmjet Asociacionit të komunave me shumicë serbe, atëherë BE-ja dhe shtetet anëtare duhet t’u bëjnë trysni palëve që të gjejnë mënyra alternative për të përmbushur këtë qëllim”, thuhet në raport.
Grupi i bën thirrje BE-së që t’i bëjë trysni Serbisë për të bashkëpunuar me forcat e KFOR-it, “për të mbyllur kufirin për kontrabandën e armëve dhe për të gjetur armët e rënda me të cilat i ka furnizuar paraushtarakët serbë të Kosovës”./voa/
E akuzoi se ka pëlqim ndaj tij, Gresa shpërthen në lot nga X...
Grupi “Shkodra Elektronike” me një falënderim të veçantë për...
Haziri në 35-vjetorin e LDK-së: Kjo familje e Rugovës ia dha...
Isak, objektiv i gjigantit francez
Eskalon situata mes Xuxit dhe Gresës, e lagin njëri-tjetrin ...
Policia në kërkim të dy të dyshuarve për vjedhje në Graçanic...