Haradinaj nga Kongresi Amerikan kërkon anëtarësimin e Kosovës në NATO

16:41 | 31 Janar 2024
E.K

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Siguri i cili është mbajtur në Kongresin Amerikan.

Haradinaj, gjatë fjalës së tij në Kongresin Amerikan, në Forumin Ndërkombëtar për Siguri ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO ndihmon forcimin e sigurisë në rrafsh rajonal e global.

“Është koha që bota demokratike, e udhëhequr nga Amerika, të kuptojë se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një nga vendimet më të rëndësishme, që do të ndihmonte në forcimin e sigurisë në të gjitha nivelet: brenda Kosovës, por edhe në forcimin dhe rritjen e stabilitetit dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor dhe globalisht”, ka thënë Haradinaj.

Tutje, ai ka shtuar se siguria nuk duhet të mirret si e mirëqenë, por duhet punuar për të mbrojtur dhe ruajtur stabilitetin e shteteve.

“Në rrethanat kur një shtet si Rusia kryen pa asnjë hezitim agresion dhe krim ndaj një shteti, si në rastin e Ukrainës, dhe shtetet tjera si Kina që nuk do të hezitojnë në asnjë moment të mbështesin këtë agresion, ne nuk duhet të qëndrojmë të qetë dhe ‘duke u marrë vesh/kryer punë si zakonisht’, por duhet të jemi të alarmuar për nivelin e kërcënimit dhe këtyre veprimeve”, ka shkruar Haradinaj.

Ai tutje ka thënë se duhet të bashkohemi në marrjen e vendimeve, të cilat janë të rëndësishme, dhe njëherazi të vështira, dhe le të qëndrojmë e të mbrojmë vlerat e lirisë dhe demokracisë.

“Pra, le të bashkohemi në marrjen e këtyre vendimeve, të cilat aq sa janë të rëndësishme, janë njëherazi të vështira, dhe le të qëndrojmë për atë që besojmë e të mbrojmë vlerat e lirisë dhe demokracisë, pasi nuk kemi një zgjidhje apo opsion të dytë. Këtë e arrijmë vetëm nëse jemi bashkë. Zoti e bekoftë Amerikën! Zoti e bekoftë NATO-n! Zoti e bekoftë miqësinë mes popullit Amerikan e Kosovës.”, përfundoi Haradinaj./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme