Zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi në konferencë për media ka treguar se gjatë takimit të djeshëm me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ia ka dorëzuar një dokument argumentues se pse Kosovës duhet t’i hiqen masat e BE-së.
“Ne i kemi dorëzuar Lajçakut një dokument pesëfaqësh, ku ne tregojmë pse Kosovës duhet t’i hiqen masat, për arsye se zakonisht thuhet se ‘Kosova i ka plotësuar të gjitha kushtet e BE-së por mbetet edhe diçka të bëhet’. Ne kemi listuar 10 aktivitete që kemi bërë që nga qershori i vitit të kaluar, për çka besojmë se Këshilli Evropian i ka rrugët e hapura të deklarojë se Kosova është shumë konstruktive dhe duhet t’i hiqen masat”, ka thënë ai, transmeton RTKlive.
Tutje ai ka thënë se mosrekomandimi i shefit të Politikës së Jashtme të BE-së, Joseph Borrell, për heqjen e masave ndaj Kosovës çon në një konkludim tjetër.
“Këshilli i BE-së në dhjetor ka konstatuar se janë të gatshëm për kthim te diskutimi për heqjen e masave dhe ta bëjnë të ndërlidhur me një shkresë që Borrelli duhet ta bëjë me rekomandimin për heqjen e masave. Ne mendojmë që Borrelli ka më shumë argumente sesa që i duhen dhe mos dërgimi i kësaj shkrese mund të krijojë indikacione që masat po keqpërdoren për ndonjë synim që nuk ndërlidhet me eskalimin në veri të Kosovës”, ka thënë Bislimi.
Zëvendëskryeministri ka folur edhe për dokumentimin faktik të autorësisë së Serbisë për sulmet e 24 shtatorit në arenën ndërkombëtare.
“Qeveria ka dërguar zyrtarisht përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe ambasadës në Bruksel raportimin prej 48 faqesh me fotografi, informata, të dhëna statistikore që janë të vërtetuara për llojin e armatimit të përdorur, logjistikën, dokumentet shtesë që dokumentojnë se veturat, armatimi dhe palnifikimi është bërë në Serbi, për personat e involvuar por edhe për targetin që e kanë pasur”, ka thënë Bislimi.
Tutje ai ka treguar se edhe EULEX ka dërguar në Bruksel një dokument fillestar për këtë çështje. Ka thënë se s’ka informacione nëse të njëjtën e ka bërë edhe KFOR-i në Kosovë, ndërkaq ka shtuar se vendet anëtare të BE-së kanë përgatitur “dokumente për nevoja të tyre”.
“Nuk na takon neve të bëjmë presion që raportet t’i bëjnë publike”, ka thënë ai për dokumentetet e shteteve evropiane.
Rusia mbyll muzeun e njohur që dokumenton mizoritë e Gulagut
Edi – Gjestit: S’ki nevojë me u tut se dola unë tash!
Krasniqi: Që të rinjtë të qëndrojnë në Kosovë, atyre u duhet...
Pamje nga veriu, pas shpërthimit në kanalin e ujit në Zubin ...
Rusia thotë se ka bombarduar forcat antiqeveritare në Siri
Vota e emigrantëve, kreu i KQZ: 30 ditë nuk mjaftojnë për po...