Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dënon Rusinë për vrasjen e gazetarëve në Dagestan

15:21 | 30 Janar 2024
R J

Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut dënoi sot Rusinë për një hetim joefektiv mbi rrethanat e vdekjes së dy gazetarëve që u vranë në Dagestan, një rajon në pjesën jugore të vendit.

Akhmednabi Akhmednabeyev u vra në makinën e tij më 9 korrik 2013 në fshatin Semeder, dhe Khajimurad Kamalov u vra më 15 dhjetor 2011 në Makhachkala, afër vendit ku ai punonte.

Dy burrat ishin objektiv i kërcënimeve me vdekje në fletëpalosjet e shpërndara në vitin 2009 dhe Akhmednabeyev i kishte mbijetuar një atentati të parë. Hetimi për vrasjen e Akhmednabeyev, sipas informacioneve që disponon GJEDNJ, është ende në vazhdim.

Në lidhje me vdekjen e Kamalov, katër burra u shpallën fajtorë në korrik 2022 për urdhërimin dhe vrasjen e tij. Dy paditësit janë shtetas rusë. Ata janë babai i Akhmednabeyev dhe nipi i tij Kamalov, të cilët iu drejtuan GJEDNJ-së duke pretenduar se autoritetet ruse nuk arritën të mbronin jetën e të afërmve të tyre dhe të kryenin një hetim efektiv për rrethanat e vdekjes së tyre.

Gjykata vendosi se në të dyja rastet ka pasur shkelje të nenit 2 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me hetimin. GJEDNJ urdhëroi Rusinë t’i paguante 26,000 paditësit të parë dhe 20,000 të dytit për dëm moral.

Gjykata, me seli në Strasburg, është krahu gjyqësor i Këshillit të Evropës dhe në të marrin pjesë 46 shtete që njohin të drejtat e parashikuara në Konventë.

Pas pushtimit të Ukrainës, Rusia u përjashtua nga Këshilli më 16 mars 2022 dhe nuk është më anëtare e Konventës që nga 16 shtatori 2022. Megjithatë, GJEDNJ mund të marrë në konsideratë gjithmonë përgjegjësinë e Moskës për shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut që kanë kryer përpara kësaj date./abcnews.al

Të ngjashme