Irlanda e Veriut dhe qeveria britanike bien dakord për ndarjen e pushtetit

10:14 | 30 Janar 2024
R J

Partia Unioniste Demokratike (DUP) ka rënë dakord për një marrëveshje për ndarjen e pushtetit në Irlandën e Veriut, subjekt i legjislacionit nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Pas një takimi që zgjati 5 orë, kreu i Partisë Unioniste Demokratike, Jeffrey Donaldson tha se ekzekutivi i partisë ka mbështetur propozimet për t’u kthyer në qeveri.

Ai tha se marrëveshjet e arritura me qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar  “sigurojnë një bazë që partia të emërojë anëtarë në Ekzekutivin e Irlandës së Veriut, duke shënuar kështu rivendosjen e institucioneve të zgjedhura në vend”.

Përparimi erdhi pasi qeveria e Mbretërisë së Bashkuar javën e kaluar u dha një politikanëve të Irlandës së Veriut deri më 8 shkurt ose do të përballeshin me zgjedhje të reja.

DUP u largua në shkurt 2022 në një mosmarrëveshje mbi rregullat e tregtisë pas Brexit. Që atëherë, ajo ka refuzuar të kthehet në qeveri me partinë nacionaliste irlandeze Sinn Fein.

Sipas rregullave të ndarjes së pushtetit të vendosura si pjesë e procesit të paqes të Irlandës së Veriut, administrata duhet të përfshijë si unionistët britanikë dhe nacionalistët irlandezë.

Largimi la 1.9 milionë banorët e Irlandës së Veriut pa një administratë funksionale për të marrë vendime kyçe pasi kostoja e jetesës u rrit.

Mësuesit, infermierët dhe punonjësit e tjerë të sektorit publik në Irlandën e Veriut organizuan një grevë 24-orëshe këtë muaj duke u bërë thirrje politikanëve të kthehen në qeveri.

Qeveria britanike ka rënë dakord t’i japë Irlandës së Veriut më shumë se 3 miliardë paund për shërbimet e saj publike, por vetëm nëse ekzekutivi në Belfast rikthehet dhe funksionon.

DUP u largua nga qeveria në kundërshtim me rregullat e reja tregtare të vendosura pasi Mbretëria e Bashkuar u largua nga Bashkimi Europian në 2020 që imponoi kontrolle doganore dhe pengesa të tjera për mallrat që lëviznin në Irlandën e Veriut nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar.

Në shkurt 2023, Mbretëria e Bashkuar dhe BE ranë dakord për një marrëveshje për të lehtësuar kontrollet doganore dhe pengesat e tjera për mallrat që lëviznin në Irlandën e Veriut nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar, por kjo nuk ishte e mjaftueshme për DUP, e cila vazhdoi bojkotin.

Jeffrey e përshkroi votimin si “vendimtar” dhe, megjithëse detajet specifike të marrëveshjes ende nuk janë publikuar, ai tha se ishte i sigurt në përparimin që ishte arritur.

Sekretari i Irlandës së Veriut, Chris Heaton Harris e përshëndeti hapin dhe e bëri të qartë se qeveria do të përmbushte përfundimin e marrëveshjes. Irlanda e Veriut ka një tjetër sistem qeverisjeje nga pjesa tjetër e Mbretërisë së Bashkuar në përgjigje të konfliktit brenda vendit prej dekadash./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme