Ukraina dhe Hungaria thanë të hënën se e kanë shtruar rrugën për një takim të liderëve të tyre, dhe se janë pajtuar për të punuar së bashku rreth çështjeve përçarëse në lidhje me të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainë, pas një takimi mes zyrtarëve të tyre në perëndim të Ukrainës.
Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto, u takua me homologun e vet ukrainas, Dmytro Kuleba, dhe shefin e Presidencës ukrainase, Andriy Yermak, disa ditë para një samiti të Bashkimit Evropian (BE), ku do të kërkohet arritja e marrëveshjes së bllokuar nga Budapesti për pakon me ndihma për Kievin.
“Janë ndërmarrë hapa inkurajues drejt rikthimit të besimit mes Hungarisë dhe Ukrainës, por ende është një rrugë e gjatë dhe nevojitet shumë punë, të cilën vendi ynë është i gatshëm ta bëjë”, tha Szijjarto pas takimit në qytetin Uzhhorod në perëndim të Ukrainës.
Budapesti e ka kritikuar për shumë kohë Kievin për, siç thotë, kufizimin e të drejtave të hungarezëve etnikë, posaçërisht në lidhje me gjuhën e tyre amtare në shkolla, një çështje të cilën e përdori për ta kundërshtuar hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e Ukrainës në BE vitin e kaluar.
Kubela i ka përshkuar bisedime si të sinqerta dhe konstruktive. Ai tha se palët janë pajtuar për ta themeluar një komision të posaçëm për këtë çështje, i cili do të punojë në 10 ditët e ardhshëm për hapat të cilën duhet të ndërmerren.
Ukraina ka thënë se shpreson se 27 vendet anëtare të BE-së do të pajtohen në samitin e së enjtes për t’ia dhënë asaj pakon me 50 milionë euro, të cilën Kievi synon ta përdorë për ta plotësuar deficitin buxhetor këtë vit, derisa po e vazhdon luftën kundër forcave pushtuese të Rusisë.
Megjithatë, nuk është raportuar për përparim në qëndrimin e Hungarisë për pakon me ndihma gjatë bisedimeve në Uzhhorod.
Szijjaro tha se kjo nuk është çështje dypalëshe dhe se duhet të diskutohet në Bruksel.
Hungaria është vendi i vetëm i BE-së i cili nuk e mbështeti pakon me ndihma për Ukrainën në samitin e dhjetorit.
Yermak tha se janë ndërmarrë hapa për të arritur pajtim për një takim mes presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe kryeministrit hungarez, Viktor Orban, edhe pse nuk është caktuar datë.
Zyrtarët ukrainas kanë thënë se presin që Orbani ta vizitojë Ukrainën, e cila do të ishte vizita e tij e parë gjatë pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Qeveria e Orbanit ka marrëdhënie të tensionuara me Kievin, por ka ruajtur lidhjet e mira me Moskën, për dallim nga vendet e tjera të BE-së, prej se Rusia e nisi pushtimin gati dy vjet më parë./rel
“Kobra”: Në natën kritike, rreth 30 persona ishin lënduar, j...
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrest...
Vrasja te lokali “Kobra City”, Babai i viktimës: Më ka ik fë...
Vdes rreshteri i Policisë së Kosovës
Akuzohet për vrasje, “Kobra”: Nuk ndihem fajtor
Me pranga në duar e me 4 avokatë në mbrojtje, “Kobra...