Google ADS

Asnjë njohje që tre vjet: Liberalizimi i vizave mund të ndihmojë

13:14 | 29 Janar 2024
E.H

Në pak javë, Kosova pritet të shënojë vitin e saj të 16-të si shtet, mirëpo në tre vjetët e fundit shtetësia e saj nuk është njohur nga asnjë vend.

Opsione për të dalë nga kjo status-quo, sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, ka.

Shfrytëzimi i liberalizimit të vizave për krijimin e raporteve diplomatike dhe ndihma e aleatëve për lobim, janë dy nga to.

Izraeli ka qenë vendi i fundit që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 Shkurt të vitit 2008.

Kjo njohje ka ndodhur në shkurt të vitit 2021 dhe ka qenë zotim i Marrëveshjes së Uashingtonit – e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Para saj, shteti i fundit që e ka njohur Kosovën, ka qenë Barbadosi në vitin 2018.

Në listën që ka të publikuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Kosovë në ueb-faqen e saj, figurojnë 117 vende që e njohin Kosovën.

Radio Evropa e Lirë dërgoi pyetje në këtë ministri rreth angazhimit të saj për njohje, por nuk mori përgjigje.

Shteti më i ri në Evropë vazhdon të mos njihet nga dy fqinjët e tij rajonalë, Serbia – e cila me Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë si pjesë të veten – dhe Bosnje e Hercegovina, si dhe nga pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian: Spanja, Sllovakia, Qiproja, Rumania dhe Greqia.

Kjo, me gjithë faktin se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka konstatuar në vitin 2010 se pavarësia e Kosovës “nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar”.

Po ashtu, ministritë e Jashtme të shteteve mosnjohëse të BE-së u pyeten nëse janë duke shqyrtuar ndryshimin e qëndrimit dhe nën cilat kushte do ta bënin një gjë të tillë.

Ajo e Sllovakisë tha se “pozicioni i saj, në raport me pavarësinë e Kosovës, nuk ka ndryshuar”, ndërsa e Rumanisë tha se, fillimisht, Kosova duhet t’i zgjidhë problemet me Serbinë.

“Ne e mbështesim plotësisht dhe në mënyrë aktive dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si kanali kryesor për një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë”, tha MPJ-ja në Bukuresht.

Këtë muaj, Spanja i njohu pasaportat e Kosovës, por autoritetet e këtij vendi sqaruan se kjo nuk nënkupton njohje të Kosovës.

Nga Qiproja dhe Greqia nuk pati përgjigje.

Si mund të ndikojë liberalizimi i vizave në njohje?

Alejandro Esteso Perez, analist dhe studiues i politikave të Ballkanit dhe zgjerimit të BE-së, thotë se me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës “diçka mund të lëvizë”.

“… sepse, mbajtësit e pasaportave të Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në shumicën e këtyre vendeve [të BE-së] dhe kjo do të ketë ndikim në lidhjet ndërpersonale dhe lidhjet ndërmjet Kosovës dhe vendeve mosnjohëse të BE-së, veçanërisht në nivel social dhe kulturor”, thotë Perez, i cili ligjëron në Universitetin Complutense të Madridit.

Sipas tij, liberalizimi i vizave është një pikënisje e mirë për ta bërë një hap më tej dhe “për t’i forcuar ose, në disa raste, për t’i vendosur lidhjet diplomatike dypalëshe”.

Nga 1 janari i këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza në atë që njihet si zona Schengen dhe përbëhet prej 27 shtetesh evropiane.

Vetëm pak ditë më vonë, më 6 janar, Spanja ka njoftuar se do t’i njohë pasaportat e Kosovës.

Perez thotë se jo të gjitha vendet mosnjohëse e pengojnë integrimin evropian të Kosovës. Përkundrazi, shton ai, janë disa që e njohin, por nuk e mbështesin.

“Greqia ka një zyrë diplomatike në Prishtinë dhe gëzon një marrëdhënie të frytshme ekonomike dhe politike me Kosovën. Mirëpo, jo të gjithë njohësit janë mbështetës të Kosovës në çdo kohë. Shikojeni Hungarinë, aleanca e së cilës me Serbinë është duke ndikuar në qasjen skeptike ndaj procesit të integrimit evropian të Kosovës”, thotë Perez, pa specifikuar më shumë.

Kryeministri populist i Hungarisë, Viktor Orban, është aleat i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Derisa Serbia të integrohet [në BE], Ballkani Perëndimor nuk do të integrohet”, ka thënë Orban gjatë një vizite në Beograd në korrik të vitit 2021.

“Së pari në Evropë, pastaj me njohjet”

Adnan Qerimagiq, analist në Iniciativën për Stabilitet Evropian, thotë se Kosova duhet të fokusohet së pari në anëtarësimin në Këshillin e Evropës, në NATO dhe në Bashkimin Evropian, e pastaj, me ndihmën e aleatëve, t’i bindë vendet mosnjohëse.

“Në këtë mënyrë, Kosova dhe partnerët e Kosovës në Këshillin e Evropës, në Bashkimin Evropian, por edhe në NATO do të kenë më shumë mundësi për ta shtyrë përpara njohjen e Kosovës”, thotë Qerimagiq.

Sipas tij, “zbutja” e Spanjës karshi pasaportës së Kosovës ka dëshmuar se vendet mosnjohëse, mund t’i ndryshojnë politikat ndaj Kosovës.

​“Ajo çfarë na është dëshmuar në këto vitet e fundit, jo vetëm me luftën Ukrainë-Rusi, por edhe me atë se çfarë po bën Serbia në rajon dhe me narrativën dhe politikat karshi fqinjëve të saj, tregon se çështja nuk është vetëm te njohjet… por është edhe në interesin e vendeve evropiane që ta integrojnë Ballkanin Perëndimor në familjen euroatlantike për të siguruar stabilitet dhe paqe në rajon”, thotë Qerimagiq.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës në maj të vitit 2022 dhe po atë vit, në dhjetor, ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pasi Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, në Kosovë kanë thënë se i kanë shtuar përpjekjet për anëtarësim edhe në NATO.

Vendi tashmë është anëtar i disa organizatave ndërkombëtare – në mesin e tyre: Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik, Federata Evropiane e Futbollit dhe Federata Botërore e Futbollit.

Me vite, Serbia ka qenë e angazhuar në një fushatë kundër njohjes së Kosovës apo për çnjohje të saj. Edhe pse autoritetet atje kanë thënë se kanë arritur t’i bindin disa vende për t’i tërhequr njohjet e Kosovës – në mesin e tyre: Surinami, Burundi, Liberia, Ishujt Solomon etj. – autoritetet e Kosovës nuk kanë konfirmuar ndonjë çnjohje.

Diplomacia e Kosovës është kritikuar në disa raste për mungesë strategjie.

Por, në një intervistë shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, ka thënë se po punohet për njohje të reja.

“Unë s’mund t’ua imponoj vullnetin tim shteteve të tjera. Ajo çfarë mund të bëj, është që të mos e ndal punën asnjë ditë”, ka thënë Gërvalla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përsërit vazhdimisht se njohja e Kosovës nga Serbia, nuk do të ketë alternativë.

Dy vendet janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve për më shumë se një dekadë, por marrëveshjet e arritura mes tyre kanë gjetur pak zbatim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme