Google ADS

Kurti ngushëllon familjen e akademik Krasniqit: Një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë

12:14 | 27 Janar 2024
K.B

Kryeministri i vendit, Albin Kurti iu ka shprehur ngushëllime familjes, miqve, Universitetit të Prishtinës dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për ndarjen nga jeta të akademik Feriz Krasniqit.

Kurti tregon se e kishin lënë që të takoheshim bashkë për ta shënuar 54 vjetorin e e Universitetit të Prishtinës.

Me anë të një postimi të gjatë në Facebook, Kurti për të ndjerin Feriz Krasniqi thotë se ishte një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë, shkruan Arbresh.info

Ngushëllimi i plotë i Kryeministrit Kurti:

E patëm lënë që më 15 shkurt, të takoheshim bashkë për ta shënuar 54 vjetorin e Universitetit të Prishtinës. Por dje, në moshën 93 vjeçare, Profesor Feriz Krasniqi vdiq!

Gjashtë javë më parë, më 17 dhjetor, kur bashkë me Profesor Ferizin i shkuam në vizitë mikut të tij Profesor Minir Dushit, ai mbështetej në bastunin e tij për të ecur dhe mbështetej në kujtesën e kthjellët dhe përvojën e gjatë prej 93 vjeçari për të biseduar. Shumë i këndshëm në bisedë dhe fort dashamirës mes miqsh, Profesor Feriz Krasniqi ishte një nga figurat më të respektuara në botën akademike dhe shkencore në Kosovë.

Feriz Krasniqi ka qenë fillimisht Prorektor i Universitetit të Prishtinës mes viteve 1973 – 1975, para se ta merrte drejtimin e tij nga detyra e Rektorit të Universitetit të Prishtinës në dy mandate, gjatë periudhës 1975 – 1979. Ai e udhëhoqi Universitetin e Prishtinës në një dekadë kyçe, kur u themeluan dhe u ngritën shumë fakultete dhe degë të tij. Si rektor i UP-së, Feriz Krasniqi e ka bartur procesin e arritjeve dhe të nënshkrimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Universitetin e Tiranës, në një kohë kur pedagogët nga Tirana dhanë shumë kontribut për zhvillimin e Universitetit të Prishtinës.

Feriz Krasniqi ishte lindur në fshatin Tërpezë të Malishevës, më 1931. Nga viti 1951 deri më 1968, ai i përfundoi të gjitha shkallët e studimeve universitare në fushat e biologjisë, në Shkollën e Lartë Pedagogjike të Nishit, në Universitetin e Shkupit dhe në Universitetin e Beogradit. Tezën e tij të doktoratës të mbrojtur më 1968, ai e kishte konceptuar dhe titulluar kështu: “Vegjetacioni i pyjeve të rajonit kodrinor të Kosovës”.

Gjithë karrierën e tij shkencore, Profesor Feriz Krasniqi ia kushtoi studimeve të florës dhe vegjetacionit spontan, kryesisht të Kosovës. Emri i tij është monumentalizuar edhe në terminologjinë shkencore botërore të botanikës, pasi që lloji i ri bimor i floristikës i gjinisë Cynoglossum, i zbuluar nga botanisti Tome Wraber, në malet e Pashtrikut, është emërtuar sipas tij me emrin shkencor: “Cynoglossum krasniqii T.Ëraber”.

Më 1996, Profesor Feriz Krasniqi u zgjodh anëtar korrespodent kurse në vitin 2000, anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve e Kosovës. Në vitin 1995, Senati i Universitetit të Prishtinës e kishte zgjedhur atë Profesor Emeritus, kurse më 2020, nga Universiteti i Prishtinës, Profesor Feriz Krasniqit iu dha titulli Profesor Nderi.

Profesor Feriz Krasniqi e ka nderuar vërtetë Universitetin e Prishtinës, Akademinë e Shkencave dhe Arteve e Kosovës dhe gjithë shoqërinë e Kosovës. Ngushëllime familjes Krasniqi, kolegëve dhe miqve të Profesor Feriz Krasniqit dhe gjithë popullit tonë!/Arbresh.info/

Ndryshe dje ( e premte) Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës (AShAK) ka njoftuar se ka ndërruar jetë akademiku Feriz Krasniqi, anëtar korrespodent i AShAK-ut nga viti 1996 dhe anëtar i rregullt nga viti 2000./Arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme