Viteve të fundit Kosova u trondit nga shumë vrasje, motivet ishin nga më të ndryshmet që kosovarët u vranë me njëri tjetrin.
Të shtunën e 20 janarit, Kosova u trondit edhe njëherë, një 18 vjeçar nga Podujeva mbeti i vdekur si pasojë e një sulmi brutal nga dy të mitur.
Se përse të rinjtë e sotëm janë kaq agresivë, psikologia Elmedina Shaqiri- Vllasi thotë se agresiviteti buron nga ndrydhjet e emocioneve, kërkesat e pa përmbushura, nga përjetimi i dhunës fizike ose psikike.
Se tek kush qëndron faji, tek familja apo shoqëria, ajo thotë se është një çështje e ndërlikuar dhe se mendohet se shkaktarët e agresivitetit duhet kërkuar para së gjithash në edukim.
“Mendohet se shkaktarët e agresivitetit duhet kërkuar para së gjithash në edukim, respektivisht rrethanat në të cilat është gjetur fëmija dhe mënyrën se si veprohet me të. Në këtë drejtim duhet theksuar dy aspekte: Rrethanat të cilat ndikojnë ose në një farë mënyre e përkrahin agresivitetin, e që ka të bëjë me atmosferën në familje; grindjet, stresi dhe trauma në familje, fjalosjet, sjelljet agresive të anëtarëve të familjes, siç është edhe përdorimi i dhunës dhe konfliktet e shpeshta familjare”, shprehet psikologia.
Ajo thekson se fillet e para të edukimit merren nga familja dhe nëse fëmijët janë të ekspozuar ndaj dhunës fizike ose psikike në familje, janë dëshmitarë të agresiviteti, atëherë burimi është aty.
“Kuptohet që fillet e para të edukimit merren nga familja, dhe nëse qysh në fëmijërinë e hershme fëmijët janë të ekspozuar ndaj dhunës fizike ose psiqike në familje, janë dëshmitarë të agresivitetit duke marrë parasysh që fëmijët mësojnë përmes imitimit, ose përjetojnë ndrydhjen emocionale duke mos pasur mundësi të shprehin ndjenjat e veta, atëherë burimi është aty”, thekson ajo.
Ajo gjithashtu thotë se keqtrajtimi fizik i vazhdueshëm i fëmijës, shkakton agresivitet të tepruar dhe këta fëmijë vetëm presin sa të rriten dhe t’i kthejnë shuplakat e marra.
“Keqtrajtimi fizik i vazhdueshëm i fëmijës, shkakton agresivitet të tepruar dhe këta fëmijë vetëm presin sa të rriten dhe t’i kthejnë shuplakat e marra, e kështu fëmijët vazhdojnë edhe në shkollë, shoqëri e kudo, prandaj mosha e adoleshencës është më e përshtatshme për të shprehur agresivitetin e tepruar, sepse në këtë moshë fëmijët e ndjejnë veten më të rritur dhe më të sigurt për të shfaqur sjellje të papërshtatshme”, shton ajo.
Shaqiri- Vllasi mendon se kur prindërit lëshojnë pe tek fëmijët që shfaqin agresivitet, është një shkaktar të cilin fëmijët e shfrytëzojnë.
“Prindërit që lëshojnë pe tek fëmijët që shfaqin agresivitet, është një shkaktar të cilin fëmijët e shfrytëzojnë, sepse e vërejnë se në momentin që fëmija është agresiv, prindërit tërhiqen, atëherë fëmijët vazhdojnë të veprojnë në këtë mënyrë”, shprehet ajo.
Sipas saj ka shumë rëndësi edhe mjedisi ku rriten, shkollohen, dhe shton se nëse çështja e problemeve emocionale dhe moskontrollit emocional nuk trajtohen si çështje të rëndësishme që duhet trajtuar, dhe trajtohen si çështje normale, atëherë këto probleme nuk do të ndalen, por sipas saj do të vazhdojnë si shoqëri të kontribuojmë në ngritjen e rasteve të dhunës.
Se përse të rinjtë e sotëm janë kaq agresivë, sociologu Bekim Selishta për Arbresh.info thotë se nëse shteti nuk merret më seriozisht do ta kemi këtë fat, si dhe njëri ndër problemet kryesore është teknologjia.
“Nëse nuk merret më seriozisht shteti me të rinjtë tanë, kemi me pas këtë fat që veç ka fillu. I shoh vendet e rajonit, pos psikologut në shkollë e marrin dhe sociologun, sepse fëmijët tanë kanë nevojë për këshilla, që tek ne nuk po mundem me tejkalu. Tash me avancimin e teknologjisë të rinjtë tanë kanë qasje në të gjitha rrjetet sociale, motivohen prej dukurive negative dhe iu duket krejt normale”, thotë Selishta.
E sipas tij faj kanë edhe prindërit, ai thotë se ka hasur në pak marrëdhënie prind-fëmijë, që të këshillohet fëmija për pasojat.
“Në pak prind kam has që këshillohet më fëmijët e vet për pasojat , që djali jem merri qeto pare bo çka dush, është shumë gabim”, shprehet ai.
Selishta thotë se të rinjtë nuk e kuptojnë se konflikti mund të sjell edhe fatalitet.
Ndër të tjera, sociologu thekson se është e çuditshme se si fëmijët e sotëm kanë njohuri për shumë lloje të drogave.
“Më duket e çuditshme që fëmijët dinë për shumë lloje të drogave, kjo është shqetësuese. Te ne punojmë pak për parandalimin. Disa herë e kam potencuar se vendet e rajonit dhe vendet e BE-së i kanë rikualifikuar sociologët, që të jenë në shkolla e në institucione të ndryshme. Në Qendrat Sociale që merren me trajtimin e fëmijëve pa prindër apo me prindër të ndarë, ata trajtohen nga një jurist, një ekonomist apo dikush tjetër. Pra edhe trajtimin ua bëjmë gabimisht. Doktor i shoqërisë është sociologu e jo psikologu”, përfundoi Selishta.
Lulzim Fejzullahu, 18-vjeçar nga Podujeva, ditë më parë u godit me veturë nga persona të dyshuar të cilët më pas e rrahën për vdekje me shufra metalike.
Si pasojë e plagëve të marra Lulzimi ndërroi jetë të shtunën në QKUK./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...