Rebelët e Huthit sulmojnë me raketë luftanijen amerikane në Gjirin e Adenit

22:10 | 26 Janar 2024
K.B

Rebelët e grupit jemenas, Huthi, e sulmuan me raketë të premten një luftanije amerikane, e cila ishte duke patrulluar në Gjirin e Adenit, duke e detyruar atë ta rrëzojë raketën, thanë zyrtarët ushtarakë amerikanë të premten.

Sulmi ndaj anijes amerikane, USS Carney, shënon përshkallëzimin e konfrontimit më të madh në det ku është përfshirë edhe marina amerikane në Lindjen e Mesme në dekada, shkruan REL.

Kjo gjithashtu është hera e parë që huthët e sulmojnë drejtpërdrejt një luftanije amerikane prej se i filluan sulmet ndaj anijeve në tetor, tha një zyrtar amerikan për Associated Press në kushte anonime, pasi nuk ishte i autorizuar të fliste për incidentin.

Por, Komanda Qendrore e ushtrisë amerikane tha se huthët e shkrepën raketën “në drejtim” të luftanijes së saj. Sikur në sulmet e kaluara, Pentagoni tha edhe tani se ishte e vështirë të përcaktohej se kë po përpiqeshin ta godisnin saktësisht rebelët e grupit jemenas.

Prej se filloi lufta e Izrael-Hamas, SHBA-ja është përpjekur ta zbusë përshkrimin e sulmeve që kanë për cak bazat dhe luftanijet e saj, në tentim për ta parandaluar zgjerimin e konfliktit në një luftë të gjerë rajonale.

Është e rëndësishme të pranohet se sulmi i së premtes ndaj luftanijes amerikane ishte i drejtpërdrejtë, tha Brad Bowman, drejtor i lartë në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive.

Të ngjashme