Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u zotua të premten se do t’i bëjë publike të gjeturat e hetimit të Moskës ndaj rrëzimit të një avioni, për të cilin pretendon se e rrëzuan forcat e Kievit, pavarësisht se ishin njoftuar se në bord kishte të burgosur ukrainas të luftës.
Kjo është hera e parë që Putini flet për avionin e rrëzuar të mërkurën. Ai i përsëriti fjalët e zyrtarëve rusë se “gjithçka ishte planifikuar” për këmbimin e të burgosurve ditën kur avioni ushtarak transportues, IL-76, u rrëzua në një zonë rurale në rajonin rus, Belgorod, me 65 të burgosur ukrainas të luftës në bord.
“Duke e ditur se [të burgosurit e luftës ishin në bord], ata e sulmuan këtë avion. Nuk e di nëse e bënë këtë gabimisht, apo me qëllim”, tha Putini për Ukrainën gjatë një takimi me studentë.
Autoritetet në rajonin Belgorod, i cili shtrihet në kufi me Ukrainën, thanë se 74 njerëz në bord, përfshirë gjashtë anëtarë të ekuipazhit dhe tre shërbyes rusë, u vranë si pasojë e rrëzimit të avionit.
Putini nuk dha kurrfarë dëshmie për t’i mbështetur pretendimet se Ukraina është fajtore.
Zyrtarët ukrainas nuk kanë thënë nëse ushtria e tyre e ka rrëzuar avionit, por kanë bërë thirrje për një hetim ndërkombëtar.
Vërtetimi i pavarur i pretendimeve të Moskës ka qenë i pamundur.
Zyrtarët ukrainas konfirmuar se një këmbim të burgosurish pritej të ndodhte të mërkurën, por thanë se ishte anuluar. Ata hodhën dyshime nëse të burgosurit e luftës ishin në avionin IL-76.
Ata gjithashtu lanë të kuptohej se avioni mund të ketë përbërë rrezik. Ata thanë se Moska nuk kishte kërkuar që hapësira ajrore të sigurohej për ndonjë kohë të caktuar, gjë që e kishte bërë gjatë këmbimit të të burgosurve në të kaluarën.
Komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, Mykola Oleshchuk, i përshkroi pretendimet e Moskës si “propagandë e madhe ruse”.
Putini tha se hetuesit rusë kanë gjetur kutinë e zezë të avionit dhe se do të kërkojë që të dhënat të bëhen publike.
“Ka kuti të zeza, çdo gjë do të grumbullohet dhe do të shfaqet. Do t’i kërkoj komisionit hetues t’i bëjë të ditura, sa më shumë që është e mundur, të gjitha rrethanat e këtij krimi – në mënyrë që njerëzit në Ukrainë ta dinë se çfarë ndodhi në të vërtetë”, tha Putin.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kërkuar hetim ndërkombëtar për këtë rast./REL
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...