Qeveria gjermane i kërkoi Kosovës që të shtyjë planet për zbatimin e vendimit që euro të jetë monedha e saj e vetme mes shqetësimeve se vendimi mund të përkeqësojë tensionet etnike duke ndërprerë qarkullimin e parave kesh për serbët etnikë në veri të vendit.
“Ne i bëjmë thirrje fuqishëm Kosovës që të shtyjë datën e zbatimit derisa të gjendet një zgjidhje e pranueshme”, u tha gazetarëve në Berlin të premten Christiane Hoffmann, zëvendës-zëdhënëse e qeverisë.
Derisa këtë çështje e konsideron është një vendim sovran për Kosovën, Hoffmann e quajti vendimin për valutën një “hap të rëndësishëm me pasoja të gjera”, që kërkon më shumë kohë dhe përgatitje.
Agjencia e lajmeve me seli në New York “Bloomberg News” shkruan se udhëheqësit europianë kanë dështuar në përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet midis Serbisë dhe Kosovës, sovranitetin e së cilës autoritetet në Beograd refuzojnë ta njohin. Tensionet në veri të Kosovës të dominuar nga serbët vluan gjatë vitit të kaluar në dhunën më të keqe në gati dy dekada.
Banka Qendrore e Kosovës njoftoi në fillim të këtij muaji se nga java e ardhshme, do të ndalojë çdo kreditor që të operojë pa licencë, duke ndikuar potencialisht në Postanska Stedionica të Serbisë, kanali kryesor për fondet në dinarë serbë ku mbështeten rreth 90,000 serbë në Kosovë.
Pagesat e dinarit
Banka Qendrore e Serbisë, e cila pohon se pagesat regjistrohen në mënyrë transparente dhe me mbikëqyrje nga Prishtina, tha në një deklaratë se kufizimet paraqesin “një kërcënim të drejtpërdrejtë për ekzistencën e popullsisë serbe dhe synojnë të dëbojnë më shumë serbë nga Kosova”.
Komuniteti serb merr pagesa për pensione, kujdes shëndetësor, arsim dhe investime – pagesa të bëra deri më tani me pak mbikëqyrje nga autoritetet e Kosovës, që mbizotërohen nga shqiptarët entikë. Qeveria në Beograd dërgon më shumë se 100 milionë dollarë në vit për të mbështetur serbët e Kosovës, shkruan ky medium.
BE-ja dhe SHBA-ja kanë paralajmëruar kundër çdo ndryshimi të papritur pasi ndërmjetësit kërkojnë të lehtësojnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis fqinjëve ballkanikë, të cilët të dy kanë aspirata për t’u bashkuar me bllokun 27-anëtarësh. Bisedimet kanë ngecur kryesisht për fatin e serbëve që u bënë pakicë pas ndarjes së Kosovës.
“Kosova duhet të jetë në gjendje të kontrollojë valutën në vend – nuk duhet të jetë e diskutueshme”, tha Florian Bieber, drejtor i Qendrës për Studime të Europës Juglindore në Universitetin e Gracit.
“Por dialogu me Serbinë tani është në një vend kaq të vështirë, dhe në fund të ditës, Qeveria e Kosovës duhet të përpiqet që serbët e Kosovës ta shohin veten më të integruar”.
Plagoset me armë 32-vjeçari shqiptar në Itali
Mustafa i PDK-së: Kërkojmë shkarkimin e Ministrit Peci, Fito...
Hamza në Zvicër: Kosova synon te sjellë ekspertë ndërkombëta...
Haradinaj: Diasporën do ta mbështesim fuqishëm për t’i...
Lucescu vazhdon të merret me Kosovën: Luajtën shumë mirë, po...
Heshtja kritike në BE për Kosovën dhe Serbinë