Nga Salih Kabashi
Se në Kosovë me emërtimet e reja të shesheve, rrugëve, rrugicave e deri te vetë vendbanimeve të saj është krijuar një lëmsh e pështjellim i pabesueshëm, këtë pothuajse e ka të qartë kushdo që do të donte ta kishte të qartë.
Injoranca, rrëmuja, inkompetenca, primitivizmi partiak, klanor, familjar, fisnor…, të gjitha këto të shoqëruara edhe me një kryenëvetësi e arrogancë të padurueshme, të paparë e të padëgjuar e gati barbare, të gjitha këto kanë udhëhequr një ndërmarrje që kërkon para së gjithash profesionalizëm e kompetencë, drejtësi në valorizimin e figurave e të ngjarjeve, marrje parasysh të kontekstit të ri shoqëror, kulturor e historik.
Për pasojë Kosova e sotme, komunat e vendbanimet e saj janë shëmtuar nga përzgjedhje emrash që në rastet më të shpeshta nuk kanë asnjë lidhje as me kulturën, gjeografinë, as me historinë e këtij vendi.
Bandat e fasaderëve të rinj të historisë kanë ndërhyrë me brutalitetin më të egër stalinist në rrëmbim lavdish e meritash. Tani rrugë fshatrash, qytezash e qytetesh janë baptizuar me emra të akrabave të njerëzve të veshur me fuqi pushtetore e ekonomike. Ato rrugë, ato sheshe, ato shkolla, ato institucione mbajnë emra të buxhovanave të hyqymetit aktual. Në mesin e emrave që shënojnë rrugët e vendit tonë rrallë e tek mund të haset ndonjë emër mësuesi, ndonjë emër shkrimtari, ndonjë emër veprimtari a veprimtarie…
Shkurt, mungojnë ata që kanë krijuar histori në një të kaluar të largët apo të afërm. Të tillë me emra të të cilëve në botën e sotme emrohen gjithë këto e që kaq mbrapsht emrohen te ne. Rrugët tona i kemi mbushur me emrat e disa figurave që nuk kanë asnjë lidhje me vendin.
Shëmtira të këtilla kulturore, arrogancë e terrorizëm i këtillë fisnor, familjar, klanor, antikombëtar, gjenocid i këtillë antikulturor Kosovës sonë nuk i ka ndodhur as në vitet e akullta e të përgjakura rankoviqiane 1945-1955.
Për të qenë absurdi edhe më i madh, në komunat ku me komoditet sundon LDK-ja, siç është Istogu, rititoizimi në fushën e emërtimeve të rrugëve ka kaluar deri në groteskë! Groteske është edhe Peja edhe Gjakova ku nuk gjendet histori, as lavdi, as përparim shoqëror, as figura markante të periudhave të tjera historike, pos asosh jugokomuniste dhe protagonistët e saj si emblema në mos të vetme, atëherë domosdo kryesore ( !).
Imazhi më i keq për Kosovën në botë është ky kthim mesjetar në fisin e klanin si organizime primitive shoqërore, kur ne emërtojmë bulevardet me emra njerëzish krejt të parëndësishëm për vendin, me meritën e vetme se mund të kenë vdekur nga mbidoza alkoolike ose toksike…
Istogu i ka lënë të paprekur bustin e gjakatarit e vrasësit të shqiptarëve, Miliq Kërrstës. Në anën tjetër një rruge i ka dhënë emrin e Ramë Ademajt, tito-stalinistit më brutal e më analfabet e më qesharak, fare karaxhoz që ka njohur historia e viteve ’70-të e ’80-të në këtë komunë kosovare.
Nëqoftëse emrat e thirrjet që u jipen hapësirave publike kudo në botë mëtojnë të krijojnë identitet urban, kulturor e historik për një vend të caktuar, nuk është fort e qartë se çfarë ka dashur komuna e Haki Rugovës kur një rruge të qytetit i paska shënuar si identifikim emrin Ramë Ademaj?!
Në fakt, kush ishte Ramë Ademaj? Çka paraqet ky emër në panoramën e nomenklaturën politike të kohës? Memorja ime mund të japë këtë portretizim të Ramë Ademajt:
– burrë i bëshëm, i gjatë dhe i drejtë, me mustaqe hitleriane, me një ecje ku dukej sikur thembrat duan të dalin para majeve të këmbëve, kur shputat janë në mënyrë ekstreme të orientuara jashtë, verë e dimër me një pallto, me e pa -kallap burrë ;
– një zë gjysmë i shterur, një gojë krejt e shthurur, vulgare dhe që s’ka ku shkon me e zdraltë… njeri që i shante nënën pa ndonjë shkak kujtdo që e ndjente se e kishte apo se duhej ta kishte nën këmbë, ose thjesht nga ndonjë llastim;
– e mbaj mend të shoqëruar kudo me bashkëfashatarin e tij, malazezin Bozh Petrushiqin nga Lubova afër Banjës së Pejës, i cili, ky i fundit, ishte me vite, më shumë se një dekadë, në mos dy, në krye të Lidhjes së Luftëtarëve të Luftës Nacional-Çlirimtare.
Bozha e Rama kanë qenë një çift karakteristik e tipik për ata prijës lokalë komunistë jugosllavë që më shumë se me diçka tjetër shquheshin si strazhar të rrebtë (nga serbishtja roje) të rrugëve të Partisë, Titos, Vëllazërim-Bashkimit…
Roje në mënyrën e tyre të veçantë!
Gjergj Dimitrovi ka pas thënë në kohën e shkëlqimit të tij stalinist:
«Kuadrove të partisë kur t’u vije puna pisk dhe në ndonjë rast kur atyre u bëhen kritika apo pyetje në të cilat si kuadro partie nuk mund të jipni përgjigje, atëherë, thjeshtë e ashpër drejtoni gishtin në drejtim të tyre dhe u thoni: Ju jeni fashistë!»
Me njerëzit e etiketuar si fashistë, pastaj, dihej se si duhej vepruar! Likuidim politik dhe jo rrallë edhe fizik.
Këtë lloj shkolle dhe këtë lloj përvojash rankoviqiste-staliniste kishte marrë Ramë Ademaj. Këtë përvojë e shfrytëzonte kur përgjatë krejt mandatit të tij si udhëheqës i sektorëve të ndryshëm, kryesisht politiko-policor në komunë të Istogut zhvillohej lufta e pandërprerë kundër «armikut të brendshëm» e për pastërtinë e socializmit e komunizmit titist…, kundër nacionalizmit e iredentizmit shqiptar;
-duke qenë bukur i ngathtë në formulacion fjalësh, ai këtë defekt e kompensonte duke u shërbyer ose me slogane të shkurtëra partiako-policore, ose, e kjo ishte veçoria monumentale e Ramë Ademajt – me qijananas! kur ai shpërthente pa as më të voglin hezitim me të shara direkte mbi njerëzit që Partia i kishte vënë në rend dite… :
-«kemi bre me ta qi nanen»,
«hajt se ti shtimë bolet n’mengele»,
«e shoq, Partia osht e fortë, po ajo kur t’delsh pej braze din edhe me ta qi nanën »,
«prano se ki dalë pej rrugs Tits se po ta shkërdhej nanën e nans… »…
-Edhe kjo:
«Hajde mos m’fol ti mu me gramatikë se ta qi gramatikën e nans» (kjo është njëra nga dy sharjet që i kam hëngër vetë dhe që i mbaj kujtim të bukur nga karaxhozi i Partisë, shoku Ramë Ademi.
Rreth Ramë Ademajt ka pasur aq shumë anekdota e barcoleta që qarkullonin jo vetëm në mesin e shqiptarëven por edhe tek serbët e malazeztë, të cilët këtij i kanë pas vu nofkën Crni Bik! (Kau i Zi), nofkë që lidhej sa me kolorin e fytyrës e të flokëve të tij aq edhe me një reklamë televizive të kohës për një detergjent tejet efikas nga i cili mikrobet humbnin si të mos kishin qenë. Natyrisht, nga frika e Kaut të Zi me brirë të mëdhenj…
Shoku Ramë ishte shumë popullor për bravurat e tij. Një kohë mendoja se sa Rama askush nuk mund ta kompromentonte Jugosllavinë dhe Komunizmin e saj. Më vonë u mor vesh se Rama po e donte Jugosllavinë më shumë se sa Jugosllavia e donte veten.
Qesharak sa të duash, por ishte e sigurt se atë që ai do ta merrte në mbrojtje, ai le të flinte dathë… Por, atë që, si një ka i zi e me yrysh ai do ta merrte në brina, ai pastaj e kishte të sigurt vetëm përjashtimin, leçitjen, diferencimin, izolimin, burgun dhe likuidimin total shoqëror.
Mbaj mend kur gazetat e Beogradit e patën bërë hero, sepse Ramë Ademi kishte urdhëruar burgosjen e të birit. «Kësi shqiptarësh, kësi komunistësh i duhen Jugosllavisë, Serbisë dhe Kosovës… ».
Çka kishte ndodhur ?
Në Lubovë vëllau i Ramës martonte të birin. Kishte çuar traktorin në Istog te banesa e Ramës që të merrte shtrojë, mbulojë, enë e rraçe tjera që duhen në një dasmë. Pak pa u nisë traktori për në fshat Rama merr nga dhoma e ditës fotografinë e shokut Tito që e kishte në mur dhe e çon tek ngarkesa e traktorit. I biri i Ramës, aspak entuziast në kryeheroin e babës e të popujve të Jugosllavisë, i frymëzuar thellë nga lëvizja e rinisë së Kosovës për Republikë, sapo e sheh se i ati u largua nga shtëpia, e then xhamin copa copa, gris foton, kornizën e kthen në banesë … Shkojnë në Lubovë. Dasma fillon dhe pas pak orësh dasmë atje mbrrin edhe Rama.
Çfarë dasme kjo! Fotografia e Titos askund. Ku është? I biri i thotë se korniza është në gozhdën e vet në Istog. Çkaaaaaaaa ? Hajt se po ta qi nanën edhe ty!
Rama urdhëron milicinë që i biri menjëherë të dëgohej në gjykatë dhe që me procedurë urgjente të dënohej. Kështu i biri ditën e dasmës së kushëririt dhe ditët tjera të dy muajve t’i kalonte në flladin e Burgut të Qarkut në Pejë.
Gazetat motra të Prishtinës, «Rilindja» e «Jedinstvo», Radio e TV Prishtina, bashkë me motrat e tjera të tyre në Beograd, Titograd, Novi Sad… lavdojnë, bekojnë e shenjtërojnë heroin e ri të Jugosllavisë së Titos – Ramë Ademajn!
Ramê Ademajn që për Titon e vdekur denoncoi e kalli në burg të birin. Ky është jugosllav… Ky është shqiptari model i standardeve serbo-jugosllave.
E dijnë të tjerët, unë nuk e di dhe as mund ta dija, sepse asokohe isha në Gulagun tim të vogël afër Lubjanës, çka kanë pas shkruar për rastin asokohe korrespodentët nga Istogu dhe editorialistët radiotelevizivë e të pressit të shtypur shqiptarë në Jugosllavi.
Rama, pos djalin e tij, ka marrë në qafë shumë njerëz të tjerë. Ai ka poshtëruar veçmas punëtorët e arsimit duke i përjashtuar nga puna dhe duke i ndëshkuar në mënyrat më barbare.
Ia kam pas njohur të vëllain nga Lubova. Ai kishte një vajzë në Shkollën e Medicinës në Mitrovicë ku unë jipja mësim. Pat ardhur që të interesohej për të bijen dhe ra fjala për Ramën, të vëllain. Që të mos e zgjaste shumë muhabetin por edhe që t’i thoshte të gjitha, ashtu qysh dijnë nganjëherë të shprehen mendjet e zgjuara dukagjinase, dukei njohur edhe sjelljet e Ramës ndaj meje, me një pikëllim të dukkshëm në fytyrë, më pat thënë vetëm këto dy fjali:
«Rama jem është tokmak n’durë t’tjeterkujna… S’kom çka t’thom tjetër, i din vet.».
SHTOJCË
Shpeshherë e takoj në kujtimet e mia Haxhi Kajtazin njërin nga mësuesit më të zellshëm të Podgurit.
Atdhetar dhe i panënshtruar para terrorit të Komitetit e të opertaivistëve të UDB-së, Haxhi Met Kajtazi u këput në zellin e tij të pasionant të mësimdhënies. Pa asnjë argument juridik, pa as një fakt të vetëm inkriminues, ai u përjashtua nga procesi mësimor për t’u nisur në rrugën e gjatë të ankesave tek institucionet komunale e krahinore në Istog, Pejë e Prishtinë. Askush nuk u vinte vesh ankesave të tij, askush nuk lexonte ato që ai thoshte për ato që po i ndodhnin.
Gjithkund i dilte përpara hija e Kaut të Zi të rrezikshëm të pushtetit komunal, Ramë Ademaj.
Haxhi Kajtazi kishte vendosur që të ankohej në nivelin më të lartë të Federatës jugosllave. Pas insistimesh të ngulmëta atij i caktohet audiencë te praktikisht më i madhi i Jugosllavisë, funksionari më i lartë i Partisë, Stane Dolanci.
Haxhiu nis dhe përfundon fjalën e tij para funksionarit të lartë. Ishin fjalë që nuk mund të mos preknin. I çuditur me historinë e dëgjuar, Dolanci e pyet Haxhi Kajtazin:
-Kush është sekretar Komiteti në komunën tuaj ?
– Ramë Ademi ! ishte përgjigjia.
– Po kryetar i Lidhjes Socialiste ?
– Ramë Ademi !
– E kryetar Sindikate ?
– Ramë Ademi ! ia kthen prap Haxhiu.
– Kush është kryeshef i milicisë ?
– Ramë Ademi.
– Qenkan shumë Ramë Adema në komunën tuaj. Si është e mundur ?
– Nuk ka shumë Ramë Adema, shoku Dollanc, vetëm një Ramë Adem është dhe ai vranë e kthjellë në komunën tonë. Aty bëhet qysh t’i teket atij…
Epilogu i gjithë kësaj ishte se Ramë Ademi doli më i fortë edhe se Stane Dolanci.
Haxhi Kajtazi e çoi jetën e tij kryelartë, por i përjashtuar nga jeta shoqërore dhe nga puna e mësuesit pasionant në Polluzhë, Vrellë, Cërrcë e Dubravë.
I ati i Haxhiut, Met Kajtazi ishte luftëtar i cili u vra nga partizanët malazez në Siqevë të Klinës më 1945.
Ndërsa atë farë burri, Haxhi Kajtazin, në shtëpinë e tij më 1999 e vranë forcat serbe.
Edhe Ramë Ademi, i gjithëfuqishme i periudhës komuniste në Istog u vra po nga forcat serbe.
Dy vrasje të dhimbshme. Një tragjedi që skribomanët e patalentë të Kosovës nuk e përjetësojnë në literaturën e tyre.
Dy figura që mbyllën jetën në mënyra kaq të ndryshme.
Haxhi Kajtazi me shumë shkëlqim e Rame Adem me tepër shumë njolla të zeza në biografinë e tij.
Haki Rugova, kryetari i Komunës nuk di nëse e ka menduar se Haxhi Kajtazi është shumë i denjë për të pasur emrin në një rrugë ose së paku në një pllakë përkujtimore. Dhe nuk kuptoj si i ka ikur nga mendja se emri i një zullumçari shumëvjeçar si Ramë Ademi në një rrugë të Istogut nuk ka vend dhe se paraqet një fyerje të rëndë për Moralin e për Historinë.
Përndryshe urdhëroni jepni emrat e Titos e të Rankoviqit nëpër rrugë e sheshe të vendbanimeve të Kosovës! Për të dytin, Rankoviqin, Fadil Hoxha ka folur mirë. Kështu shkruan V.S. në librin e tij për bacën Fadil…
Parashikimi i motit për pesë ditët e ardhshme
Me flamujt kuq e zi në duar/ Mijëra shqiptarë presin Ramën n...
Guardiola pas humbjes nga Tottenham: Ne do të ngritëmi
Izraeli thotë se një rabin është vrarë në Emiratet e Bashkua...
Edi dhe Xheneta diskutojnë në lavanderi, ndërsa Gjesti i për...
“Serbia nuk luan dot me Kosovën”/ Deputeti gjerman: Bisedime...