Google ADS

Kosova dhe Serbia do të vlerësohen individualisht nga Fondi i BE-së për rritje ekonomike

13:32 | 24 Janar 2024
E.G

Fondet e Bashkimit Evropian për rritje ekonomike të Ballkanit Perëndimor, mund të shfrytëzohen vetëm nëse respektohen kushtet dhe në rast të përdorimit të jashtëligjshëm të tyre, vendet do të detyrohen t’i kthejnë ato.

Kështu ka deklaruar Drejtori i Përgjithshëm i BE-së në Negociatat për Zgjerim dhe Fqinjësi, Gert Jan Koopman, gjatë një diskutimi të zhvilluar të mërkurën në Komisionin e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Buxhet.

Ai ka thënë se pagesat nga Plani për rritje ekonomike do të kryhen vetëm pasi të ketë dëshmi se janë ndërmarrë reformat e nevojshme. Nga gjashtë vendet e rajonit kërkohet që të kenë plan të veprimit për reforma, dhe përmbushja e tyre do të vlerësohet dy herë në vit.

Duke folur për kushtet, ai ka përmendur sidomos sundimin e ligjit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe respektimin e vlerave demokratike.

Koopman ka thënë se Kosova dhe Serbia do të kenë kushte specifike e ato lidhen me raportet mes tyre.

“Kushtet specifike do të jenë për Kosovën dhe Serbinë, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e raporteve. Kjo do të bëhet në mënyrë individuale për secilin nga këto dy vende. Me fjalë tjera, nëse njëri vend nuk avancon, vendi tjetër nuk do të pengohet, nëse avancon në reforma”.

Sipas Komisionit Evropian, gjysma e mjeteve nga Plani për rritje në rajonin e Ballkanit Perëndimor, do të shkojnë në kuadër të kornizës për investime, sepse mjetet ekzistuese që janë në dispozicion, nuk janë të mjaftueshme për t’i kryer investimet e duhura.

Pjesa tjetër do të shkojë direkt në buxhetin e vendeve, për të financuar disa nga reformat e nevojshme.

Koopman ka treguar se modeli do të jetë i thjeshtëzuar, për t’iu përshtatur Ballkanit Perëndimor, por duke respektuar edhe rregullat e BE-së.

Komisioni Evropian beson se ky plan – nga i cili do të ndahen mjete specifike për secilin vend – do të ndryshojë shumë rajonin e Ballkanit dhe do të jetë gjenerator për rritje të konsiderueshme ekonomike.

“Pa rritje të konsiderueshme ekonomike, rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk do të mund të avancojë në arritjen e qëllimeve për integrim në BE“, ka thënë ky zyrtar i BE-së.

Zyrtari i lartë i Komisionit Evropian ka sqaruar se një pjesë e mjeteve financiare do t’iu jepen vendeve të rajonit si asistencë pa kthim dhe një pjesë do të jetë në formën e kredive të favorshme.

Ai ka thënë se këto kredi janë të domosdoshme, pasi vendet e rajonit nuk kanë mundësi që në tregun ndërkombëtar të sigurojnë kredi me kushte të favorshme.

Disa deputetë kanë kërkuar që nga këto mjete të përfitojnë edhe ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, organizatat joqeveritare e jo që ato të përdoren për forcimin e strukturave politike

Mes tjerash, është kërkuar që fondet të orientohen drejt adresimit të sfidave demografike dhe largimit të të rinjve./rel/

Të ngjashme