Shumë deputetë të Parlamentit Evropian kanë shprehur vërejtje dhe kritika të ashpra për procesin zgjedhor që u mbajt në Serbi në dhjetorin e vitit të kaluar dhe për zhvillimet edhe pas këtyre zgjedhjeve.
Për situatën politike në Serbi është diskutuar më 23 janar në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Evropian. Aty folën edhe përfaqësuesit e Komisionit Evropian dhe të Shërbimit të veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS). Edhe ata thanë se zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore në Serbi, që u mbajtën më 17 dhjetor, nuk u zhvilluan në kushte të barabarta.
Zëvendësdrejtori menaxhues, Marko Makovec, që foli në emër të EEAS-it, rikujtoi deklaratën e përbashkët të cilën e kishin dhënë përfaqësuesi i lartë Josep Borrell, dhe komisionari për Zgjerimit, Oliver Varhelyi, se janë të shqetësuar për disa çështje që duhet të hetohen e adresohen dhe se janë të domosdoshme reformat.
Makovec tha se sundimi i ligjit mbeten në qendër të procesin të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian. Ai rikujtoi se Serbia duhet të zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun për normalizim të raporteve me Kosovën, që ndërmjetësohet nga blloku evropian.
“Viti 2023 ishte një vit me zhvillime të përziera në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Pamë përshkallëzime serioze, sulme ndaj ushtarëve të KFOR-it në maj dhe sulme të dhunshme në Banjskë më 24 shtator. Por, pamë edhe përparim në disa fusha”, tha ai, duke nënvizuar se viti 2023 përfundoi me disa hapa pozitiv, siç ishte çështja e targave të makinave dhe ajo e energjisë.
Megjithatë, Makovec konstatoi se sipas vlerësimit të BE-së, sa i përket situatës në veriun e Kosovës, e banuar me shumicë serbe, nuk ka pasur përparim ashtu siç është pritur.
“Zbatimi i marrëveshjes nga dialogu, pa vonesa dhe pa parakushte, mbetet kusht i qartë. Të gjithë duhet të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të nxisin tensionet”, theksoi ai.
Makovec po ashtu deklaroi se duhet të ketë përgjegjësi për sulmin në Banjskë të Zveçanit.
Më 24 shtator, një grup i armatosur serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një rreshter. Gjatë përleshjeve u vranë edhe tre sulmues serbë. Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit.
Për sulmin, Kosova ka fajësuar Serbinë, por Beogradi ka mohuar se ka gisht në të.
Makovec tha se Serbia po ashtu duhet të përshtat politikën e saj të jashtme me atë të BE-së dhe mospërshtatja, sa i përket vendosjes së sanksioneve ndaj Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainë, tashmë ka prodhuar pasoja për procesin integrues evropian të Serbisë. Ai po ashtu theksoi se Serbia po vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me Serbinë.
David Muller nga Komisioni Evropian, tha se pret që Serbia të zbatojë të gjitha vërejtjet sa i përket procesit zgjedhor, që do të jenë pjesë e raportit të misionit vëzhgues zgjedhor të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ai po ashtu shprehu keqardhje që Serbia nuk ka bërë hapa përpara në procesin e negociatave të anëtarësimit me BE-në.
“Dua të them se kanë kaluar dhjetë vjet prej kur i kemi hapur negociatat e anëtarësimit me Serbinë. Por, hapi i fundit ka qenë në vitit 2021. Serbia po bashkëpunon me BE-në në aktivitetet për të parandaluar shmangien e sanksioneve nga Rusia. Por, fakti që Serbia nuk është përshtatur me sanksionet ndaj Rusisë është pengesë serioze”, tha ai.
Disa eurodeputetë thanë se delegacioni vëzhgues i zgjedhjeve në Serbi nga Parlamenti Evropian ka qenë dëshmitar i manipulimeve në zgjedhje, dhe kur ky delegacion ka raportuar parregullsitë është sulmuar verbalisht nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe Qeveria serbe. Ligjvënësit evropianë kërkuan nga Komisioni Evropian dhe shërbimi diplomatik i BE-së të dënojnë sulmet e tilla.
Deputeti nga Sllovenia, Klemen Groshelj, që ishte shef i misionit vëzhgues të PE-së për zgjedhjet në Serbi tha se “çështja është shumë e thjesht, sepse e zgjedhjet e lira janë kriter bazë për BE-në dhe Serbia nuk e respektoi këtë standard”.
“Nuk mund të pretendojmë se institucionet në Serbi, që janë përgjegjëse vetë për këto parregullsi, do të hetojnë të njëjtat. Ata nuk do ta hetojnë vetveten”, tha ai.
Misioni ndërkombëtar që monitoroi zgjedhjet, tha pas votimeve se partia e Vuçiqit, Partia Progresive Serbe, kishte përfituar avantazh të padrejtë përmes mediave të njëanshme, përmes ndikimit të Vuçiqit dhe po ashtu kishin vërejtur parregullsi në votime sikurse blerja e votave.
Autoritetet serbe kanë mohuar të gjitha këto akuza.
Gjatë debatit të 23 janarit, deputetja nga Gjermania, Viola von Cramon, tha se për 12 vjet ka qenë vëzhguese e zgjedhjeve të ndryshme, por asnjëherë nuk kishte parë diçka si ajo që ndodhi në zgjedhjet serbe.
“Ky nivel i mashtrimeve zgjedhore është i papranueshëm”, tha ajo.
Ndërkaq ligjvënësi nga Kroacia, Tonino Piculla i quajti parregullsitë zgjedhore në Serbi si përkeqësim të demokracisë në këtë shtet dhe veprimet e Beogradit, i cilësoi si rrezik edhe për vendet fqinje, sikurse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina.
Gjatë muajit shkurt pritet që në Parlamentin Evropian të diskutohet edhe miratohet edhe një rezolutë e veçantë për zgjedhjet dhe situatën politike në Serbi./rel
Studimi: Qëndrimi ulur për orë të gjata mund të dëmtojë shën...
Edi për Xhenetën, nuk e mohon se mund të ketë diçka
Gjashtë lëndë ushqyese që ndihmojnë në ndërtimin e muskujve ...
Harta e akneve në fytyrë, mesazhet e fshehura të shëndetit
Bitcoin nuk di të ndalet, i afrohet nivelit të 100 mijë doll...
Katër shenjat e horoskopit janë të motivuara veçanërisht për...