Analistët: Integrimi në BE dhe normalizimi i marrëdhënieve, rrugë të ndara

14:55 | 23 Janar 2024
E.K

Ndarje të procesit të anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, kërkoi dje kryeministri Albin Kurti në samitin “Ballkani Perëndimor me vendet e BE-së”. Edhe njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare thonë se nuk do të duhej që integrimi i Kosovës në BE të ishte i ndërlidhur domosdoshmërish me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Kryeministri Albin Kurti kërkoi dje në samitin “Ballkani Perëndimor me vendet e BE-së” që të ndahet procesi i anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian nga procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. “E kuptoj se BE-ja në thelb e ka fqinjësinë e mirë, por duhet kuptuar se nuk është kollaj të normalizohen marrëdhëniet me një shtet që nuk e ka prioritet as perëndimin as demokracinë’, tha Kurti në Shkup.

Duke komentuar këtë deklaratë të kryeministrit, profesori universitar Dritëro Arifi, thotë për Radio Kosovën se ndonëse në parim nuk do të duhej të kushtëzohej integrimi në BE me normalizimin e marrëdhënieve, zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel do të ndikojë në përafrimin e Kosovës apo edhe Serbisë në BE.

“Bindja ime është se Bashkimi Evropian e ka kuptuar se kjo është e vetmja mënyrë për të detyruar shtete që të ecin tutje, pra, për të përshpejtuar procesin e integrimeve në njërën anë dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi në anën tjetër. Por, unë përsëri jam i mendimit se cilido shtet që i zbaton marrëveshjet, ai do të ecë tutje drejt integrimeve evropiane, pra këtu nuk mund të pengojnë shtetet njëri-tjetrin”, tha Arifi.

Nga ana e tij, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, Shqiprim Pula, thotë se tema e dialogut me Serbinë dhe përcaktimi i Kosovës për integrim në Unionin Evropian do të duhej të kishin rrugëtim të ndarë. Ai thotë se në asnjë mënyrë Kosova nuk duhet të pësojë nga destruktiviteti i Serbisë për të mos njohur pavarësinë e Kosovës dhe arritur paqen.

“Çdo tentative e tillë nga kushdo qoftë që mund të vije si ndërlidhje e dialogut me rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian, do të ishte vërtet një lloj bllokade, e cila mund ta penalizonte Kosovën për shkak të përcaktimit tonë politik për integrim në strukturat euro-atlantike. Prandaj, një gjë e tillë nuk do të duhej të ndërlidhej dhe këto dy procese, dialogu me Serbinë dhe integrimi në BE, do të duhej të vazhdonin ndaras nga njëra tjetra. Pra, nuk do të duhej në asnjë rrethanë, politikisht dhe institucionalisht, të kërkohej nga burokratët e Brukselit që këto të kenë fatin e njëjtë”, tha ai.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian prej vitesh thonë se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi është një nga faktorët kyç në rrugën drejt integrimit në BE të dy shteteve që aktualisht kanë mosmarrëveshje./rtk

Të ngjashme