Tre sulmues drejt largimit, sinjal ky për qëndrimin e Mbappe?

14:23 | 23 Janar 2024
KRG

Kylian Mbappe ka hyrë në muajt e fundit të kontratës me Paris Saint-Germain, teksa e ardhmja e tij mbetet ende e paqartë, me Real Madrid që mbetet destinacioni kryesor, por për 25-vjeçarin ka pasur edhe “sirena” angleze.

Megjithatë, për të thjeshtuar disi këtë situatë, mediet franceze pak ditë më parë raportuan se drejtuesit e klubit parisien i kanë propozuar sulmuesit një ofertë prej 400 milionë eurosh për katër vitet e ardhshme.

Deri më tani nuk ka pasur asgjë konkrete apo një njoftim zyrtar, ndërsa një sinjal për qëndrimin e tij është edhe sjellja e klubit me pjesën tjetër të sulmit.

Momentalisht, trajneri Luis Enrique ka spostuar në stol emra si Kolo Muani dhe Goncalo Ramos, ndërsa i riu Ekitike nuk bën më pjesë në planet e spanjollit, kjo pasi ai nuk grumbullohet me ekipin që prej gushtit.

Goncalo Ramos ka nisur tashmë të mendojë për të ardhmen që me shumë mundësi do të jetë në Premier League, ndërsa Kolo Muani, siç raportojnë mediet franceze ka bërë me dije se nëse nuk merr statusin e titullarit do të largohet në verë edhe pse trazoi të gjithë ambientin e Frankfurt-it për të zbarkuar në Paris.

Po flasim për dy transferimet më të bujshme të verës së vitit 2023 te PSG-së, për rreth 165 milionë euro, pa harruar edhe 29 milionë eurot e shpenzuara për Ekitike-n, një total prej afro 200 milionë euro.

Pra, sinjale këto që numri një i klubit, Nasser Al-Khelaifi e ka të qartë projektin e të ardhmes dhe kjo e ardhme duket me Mbappe-n, që tashmë ka hyrë në ditët e fundit për të vendosur të ardhmen e tij, që shumë mund të varet edhe nga ecuria në Champions League./Ss

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme