Organizata Amnesty International shprehu sërish sot shqetësim për marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për migrantët e nisur nga vendet e Afrikës veriore, e cila parashikon mbajtjen e tyre në territorin shqiptar, në pritje të shqyrtimit të kërkesave për azil. Ndërsa protokolli mes dy vendeve nisi të diskutohet sot në Dhomën e deputetëve, organizata e njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, i bëri thirrje parlamentarëve italianë që ta kundërshtojnë atë
Marrëveshja e nënshkruar në 6 nëntor të vitit të kaluar në Romë, mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe atij shqiptar Edi Rama, parashikon ngritjen e dy qendrave, e para në Shëngjin ku do të kryhen procedurat e verifikimit të migrantëve dhe e dyta në Gjadër, ku ata do të mbahen të izoluar, deri në përfundim të procedurave për pranimin ose jo të azilit.
Sipas deklaratës së sotme të Amnesty International “skema për ndërtimin e qendrave të ndalimit të emigrantëve në Shqipëri është pjesë e një tendence më të gjerë ndërkombëtare për të zhvendosur kontrollin kufitar dhe përpunimin e azilit në vendet e treta: një lëvizje që kërcënon të drejtat e njeriut të migrantëve dhe refugjatëve dhe mund të çojë në vuajtje më të mëdha”.
Matteo de Bellis, hulumtues për Migracionin dhe Azilin pranë organizatës vlerëson se “kjo marrëveshje përfaqëson një tjetër përpjekje të turpshme nga Italia për të anashkaluar ligjin ndërkombëtar dhe të BE-së, me pasoja të mundshme të rënda për njerëzit që kërkojnë azil.” Sipas tij “ky propozim i pazbatueshëm, i dëmshëm dhe i paligjshëm do të bënte që njerëz në nevojë, t’i nënshtroheshin transferimeve të gjata dhe të panevojshme nga deti dhe të përfundonin në ndalim automatik dhe potencialisht të zgjatur, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.”
Sipas protokollit mes dy vendeve, në Shqipëri do të transferohen migrantët e kapur në det të hapur. “Me qindra milje distancë midis Mesdheut qendror, ku ndodhin shumica e kalimeve dhe mbytjeve të anijeve, dhe Shqipërisë, marrëveshja shkel qartë detyrimin e Italisë për të zbarkuar njerëzit e shpëtuar në det sa më shpejt që të jetë e mundur pas shpëtimit të tyre. Ajo mund të dobësojë gjithashtu sistemin më të gjerë të kërkimit dhe shpëtimit, i cili ka të ngjarë të rrezikojë sigurinë e njerëzve që kanë nevojë për shpëtim në det”, vë në dukje deklarata e Amnesty International.
Sias marrëveshjesh Shqipëria ofron vetëm territorin e saj, ndërkohë që përgjegjësia, përfshirë dhe juridiksionin mbi dy qendrat, mbetet vetëm e Italisë. “Ndërsa zbatimi i juridiksionit italian duket se premton akses në garancitë procedurale dhe të drejtat e azilit në përputhje me ligjin italian dhe të BE-së, në realitet aksesi në garanci të tilla mund të pengohet rëndë”, thekson Amnesty, pasi sipas saj “të gjithë personat e sjellë në qendrat në Shqipëri, përfshirë edhe azilkërkuesit, do të ndaloheshin automatikisht. Ndalimi automatik është në thelb arbitrar dhe për këtë arsye i paligjshëm. E kombinuar me ndryshimet e fundit në ligjin italian, marrëveshja mund të çojë në ndalimin, në mënyrë të vazhdueshme të peronave, për më shumë se 18 muaj”
Deklarata e organizatës për të Drejtat e njeriut, vjen ndërsa sot në Dhomën e deputetëve të parlamentit Italian u shqyrtua në parim teksti i marrëveshjes. Votimi pritet gjatë dy ditëve të ardhshme. “Në vend që të ratifikojnë këtë marrëveshje të dëmshme, deputetët italianë duhet të mbështesin masat për të siguruar pritje të përshtatshme në Itali, qasje në një procedurë efektive azili dhe rrugë qasjeje të sigurta dhe të rregullta, veçanërisht për njerëzit që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare”, përfundon Amnesty International.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni, e cila vjen nga e djathta nacionaliste, u ngjit në pushtet duke premtuar frenimin e migracionit, por në fakt prurjet u rritën. Opozita italiane ngriti pikëpyetje të shumta mbi marrëveshjen dhe po e kundërshton atë me forcë, duke vënë theksin mbi rrezikun e shkeljes së normave dhe konventave ndërkombëtare, apo dhe mbi vetë dobinë e këtij akti.
Në Shqipëri opozita gjithashtu ka shprehur shqetësime serioze. Sipas saj marrëveshja vlerësohet të ketë elementë të tillë që shkojnë përtej një dokumenti mes dy qeverive, e për pasojë do të duhej të ishte kërkuar autorizim nga presidenti i Republikës. Po ashtu njohja e juridiksionit italian mbi territorin ku do ngrihen qendrat shihet si cënim i sovranitetit dhe integritetit territorial. Pikërisht për këto çështje dhe pretendimet se protokolli mes dy vendeve bie ndesh dhe me konventat ndërkombëtare në të cilat Shqipëria është palë, 28 deputetë të së djathtës i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Në muajin dhjetor kjo Gjykatë vendosi pezullimin e procedurave të ratifikimit në parlament. Çështja po gjykohet me dyer të mbyllura vetëm mbi bazën e dokumentacionit. Pas seancës së javës së shkuar, me gjasë Gjykata mund të dalë me një vendim pas dy ditësh./voa
Gjykata Kushtetuese merr vendim për Berishën
Pacolli të shtunën takim humanitar në Gjermani
Mbappe nuk do të jetë më kapiten i Francës? – gazeta L’Equip...
Kurti mirëpriti në takim lamtumirës Ambasadorin e Bullgarisë...
Dy të plagosurit në Vranjevc po i ruan policia në QKUK, u ca...
Shtyhet seanca ndaj Kobrës, seancën e radhës pritet të dëgjo...