Google ADS

Trysni në rritje ndaj qeverisë izraelite për një zgjidhje me dy shtete

16:59 | 21 Janar 2024
D.H

Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se numri i viktimave palestineze në Gaza gjatë më shumë se tre muajve të luftës midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit ka arritur në 25000. Ndërkohë është rritur trysnia ndaj qeverisë Izraelite të drejtuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu për të pranuar një “zgjidhje me dy shtete”. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe Ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar thanë se ishin zhgënjyese deklaratat e kryeministrit Netanyahu duke mos pranuar një shtet të ardhshëm palestinez.

Trysnia është rritur ndaj qeverisë Izraelite të drejtuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu, për të pranuar krijimin e një shteti të ardhshëm palestinez. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres tha të dielën se refuzimi për të pranuar zgjidhjen me dy shtete për izraelitët dhe palestinezët është krejtësisht i papranueshëm.

Sipas tij mohimi i së drejtës për shtetësi ndaj palestinezëve “do të zgjaste pafundësisht një konflikt që është bërë një kërcënim i madh për paqen dhe sigurinë globale”. Ai tha se është trishtuese të shikosh numrin e lartë të civilëve palestinezë të vrarë në Rripin e Gazës.

“Operacionet ushtarake të Izraelit kanë përhapur shkatërrim në masë dhe kanë vrarë civilë në një shkallë të paprecedentë gjatë kohës sime si Sekretar i Përgjithshëm”, tha Guterres në hapjen e një takimi në kryeqytetin e Ugandës, Kampala.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar.

“Mendoj se është shumë zhgënjyese që Benjamin Netanyahu nuk e ka pranuar. Nuk është e befasishme pasi ai e ka ndërtuar gjithë karrierën e tij politike kundër një zgjidhjeje me dy shtete. Por çështja është, cila rrugë tjetër ka për ta zgjidhur këtë problem? Palestinezët meritojnë një shtet sovran, Izraeli meriton të ketë aftësinë e plotë për të mbrojtur veten, sigurinë e tij. Dhe nëse nuk arrihet një zgjidhje me dy shtete, unë me të vërtetë nuk mendoj se ka një zgjidhje tjetër”, tha Grant Shapps, Ministri i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar në një intervistë për BBC-në.

Kryeministri Netanyahu u duk të shtunën se doli kundër deklaratave të presidentit amerikan Joe Biden për një shtet palestinez pas përfundimit të luftës kundër Hamasit në Gaza.

Biden tha të premten se kishte folur në një telefonatë me zotin Netanyahu për zgjidhjet e mundshme për krijimin e një shteti të pavarur palestinez, duke sugjeruar se një alternativë mund të ishte një qeveri e çmilitarizuar.

“Në bisedën e tij me Presidentin Biden, kryeministri Netanyahu përsëriti qëndrimin e tij se pasi Hamasi të shkatërrohet, Izraeli duhet të ruajë kontrollin e sigurisë mbi Gazën për t’u siguruar që Gaza të mos përbëjë më kërcënim për Izraelin, gjë që bie ndesh me kërkesën për sovranitetin palestinez”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit.

Në një tjetër zhvillim, Ministria e Shëndetësisë e Gazës njoftoi se numri i viktimave palestinezë në Gaza gjatë më shumë se tre muajve të luftës midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit ka arritur në 25000.

Ndërkohë ushtria izraelite publikoi një tjetër video, që pretendon se ka zbuluar një tjetër rrjet tunelesh në Gazë, ky dyshohet se Hamasi mbante aty rreth 20 pengje. Sipas ushtrisë izraelite rrjeti i tuneleve është rreth një kilometër i gjatë, i pajisur me qeli të vogëla, madje kishte edhe kuzhinë. Agjencia e lajmeve Reuters thotë se nuk ishte në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur vendndodhjen ose datën kur u filmua kjo video. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha se hyrja e tunelit ishte në shtëpinë e një anëtari të Hamasit në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis.

Lufta filloi pas sulmit të befasishëm të Hamasit në Izrael më 7 tetor, në të cilin militantët e Hamasit vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë, dhe morën peng rreth 250, duke përfshirë burra, gra dhe fëmijë. Izraeli u përgjigj me një fushatë ajrore dhe më pas një sulm tokësor që ka rrafshuar lagje të tëra./voa

Të ngjashme