Reshjet e dëborës shkaktojnë probleme në Shqipëri, situata më e rëndë në veri

17:14 | 20 Janar 2024
R J

Moti i keq me reshje dëbore dhe shiu ka përfshirë thuajse të gjithë territorin e Shqipërisë. Situata është më e rënduar në zonën veriore të vendit, në qarqet e Kukësit, Dibrës dhe Shkodrës, ku edhe reshjet e dëborës janë më të shumta.

Në mesditë, Bashkia Fushë Arrëz njoftoi se ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për t’u ardhur në ndihmë banorëve të izoluar nga dëbora në njësitë administrative malore Iballë, Blerim, Fierzë e Qafë-Mali.

Në pjesën më të madhe të akseve rrugore që lidhin zonat e banuara situata është rënduar. Kështu, aksi rrugor Qafë Thore-Theth është i bllokuar nga dëbora dhe, po ashtu, edhe aksi rrugor që shkon drejt Vermoshit.

Në aksin malor Vau Dejës-Pukë-Kukës, Ura e Çerenecit-Bulqizë ka reshje të shumta dëbore, ndërsa në Qafë Mali dëbora ka arritur në 40-50 cm. Në segmentin Fierzë-Qafë Shllak ka prani të orteqeve, çka vështirëson punën e borëpastrueseve.

Reshje të dëndura dëbore ka përgjatë Rrugës së Kombit si dhe në segmentin rrugor Peshkopi-Maqellarë dhe Ulëz-Burrel. Reshje të dendura dëbore me erë të fuqishme ka sidomos në Urën Zapod-Shishtavec, në Kukës, në Tamarë-Vermosh dhe në Qafë Thore-Bogë, në Malësi të Madhe, në Klos e Peshkopi, në Bajram Curri-Fierzë të Tropojës.

Autoriteti rrugor paralajmëroi drejtuesit e automjeteve të pajisen me goma dimërore dhe zingjirë dhe të ulin shpejtësinë gjatë udhëtimit.

Situata është rënduar edhe për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në një numër të madh fshatrash për shkak të daljes jashtë funksionit të linjave të percjelljes së energjisë.

Operatori i shpërndarjes së energjisë bëri të ditur se në Qarkun e Shkodrës janë stakuar plotësisht fidrat në Pukë, Velipojë, Bushat, Koman dhe nënstacionin Shkodra 2./voa

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme