Google ADS

Ronaldo “kundër” Ligue 1: Kampionati arab është më i fortë se ai në Francë

10:04 | 20 Janar 2024
K.B

Që prej 1 janarit të vitit 2023, 5 herë fituesi i “Topit të Artë”, Cristiano Ronaldo po vazhdon karrierën e tij futbollistike, në Kampionatin Saudit të Futbollit e më konkretisht te skuadra e Al-Nassr, duke i bërë i pari nga “yjet” e futbollit botëror, që kaloi në këtë kampionat, për t’i hapur rrugën transferimit të “yjeve”, si Karim Benzema, N’Golo Kante e e shumë e shumë të tjerë.

Së fundmi, në një prononcim për mediat, Ronaldo ka folur për transerimin e tij te “gjigantët” e Al-Nassr, ku ka treguar se nuk është penduar për transfermin e tij, në Arabinë Saudite, madje “luzitani” është i bindur se futbolli në Lindjen e Mesme ka nisur një rrugëtim të rëndësishëm dhe që në të ardhmen do të jetë shumë kompetitiv, teksa ka shtuar se aktualisht kampionati arab është më i fortë se Ligue 1 në Francë.

“Zgjedhja për t’u transferuar në Arabinë Saudite ishte e duhura dhe zgjedhja më perfekte që mund të bëja. Arabia Saudite sapo e ka nisur rrugëtimin dhe do të duhet pak kohë për t’u rritur. Por, hap pas hapi niveli do të rritet dhe pas disa vitesh mendoj se ky kampionat do të jetë një ndër tre më të fortët në botë.

Njerëzit këtu në Arabinë Saudite kanë për t’u ndjerë krenarë. Kjo ligë nuk është më pak e fortë se Ligue 1, madje mendoj se është më e fortë. Pas një viti që kam kaluar këtu, mund ta them këtë me siguri të plotë”,- u shpreh 5 herë fituesi i “Topit të Artë”.

Ndërkaq, kujtojmë se deri më tani, ish-“ylli” i Manchester United, Real Madrid e Juventus ka zhvilluar deri më tani plot 44 paraqitje, me skuadrën e Al-Nassr, ku në to ka arritur të gjejë plot 38 herë rrugën e rrjetës, si dhe të asistojë në plot 13 raste shokët e tij të skuadrës./abcnews.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme