Google ADS

Kurti përkujton Ahmet Kaçikun dhe dëshmorët e Reçakut

22:23 | 19 Janar 2024
KRG

Me rastin e 25-vjetorit të rënies, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përkujtuar heroin kombëtar Ahmet Kaçikun dhe dëshmorët e tjerë në Reçak.

Kurti ka shkruar së Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), ishte ushtri e ngritur luftëtarë dhe vullnetarë për të luftuar për çlirimin e atdheut dhe mes detyrave të saj më të vështira ishte mbrojtja e banorëve civilë nga vrasjet, masakrat, torturat, plaçkitjet dhe djegiet nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake të Serbisë, përcjell Arbresh.info.

Postimi i plotë:

Në kujtim të Ahmet Kaçikut dhe dëshmorëve të Reçakut

Që nga e premtja e 15 janarit të vitit 1999, kur forcat speciale policore të Serbisë kryen masakër në Reçak dhe deri më 11 shkurt kur u varrosën të vrarët, në Reçak dhe në disa fshatra të tjera përreth të Shtimes, nisi një betejë për mbrojtjen e kufomave të të vrarëve. Më 19 janar, te Guri i Bagdashit në Reçak, ra dëshmor Ahmet Kaçiku, Komandant i Brigadës 161 të Zonës Operative të Nerodimes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Serbia nuk mjaftohej vetëm që po i masakronte civilët e paarmatosur shqiptarë, ajo i donte edhe kufomat e tyre që t’ua bënte ‘autopsinë’ para ekipit të forenzikës nga Bashkimi Evropian që asokohe udhëhiqej nga finlandezja Dr. Helena Ranta.

Ahmet Kaçiku kishte lindur në fshatin Biti e Epërme në vitin 1964, pikërisht më 15 janar, datën që do të kryhej masakra e Reçakut, me të cilën do të lidhet emri i tij përgjithmonë. Pas rënies së komandantit të saj, Brigada 161 u quajt Brigada “Ahmet Kaçiku”. Ahmet Kaçiku ishte angazhuar për mbrojtjen e civilëve të asaj zone që nga 15 janari dhe derisa u vra më 19 janar. Po atë ditë, ra dëshmor edhe ushtari i UÇK-së, Vezir Jashari nga fshati Gradish i Gjilanit.

Atë ditë, pra më 19 janar 1999, në fshatin Mollopolc të Shtimes, po varroseshin nëntë dëshmorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ishin vrarë ditën e masakrës në Reçak më 15 janar: Ali Beqa, Shaqir Berisha, Ismail Luma, Kadri Syla, Sadik Mujota, Mehmet Mustafa, Skënder Qarri, Enver Rashiti dhe Nazim Kokollari. Dy ditë më pas, më 21 janar, në varrezat e dëshmorëve në Mollopolc u varros edhe Ahmet Kaçiku.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një ushtri e ngritur nga luftëtarë vullnetarë në luftën e drejtë për çlirimin e atdheut dhe si një ushtri popullore, mes detyrave të saj më të vështira për UÇK-në, ishte mbrojtja e banorëve civilë nga vrasjet, masakrat, torturat, plaçkitjet dhe djegjet prej forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake të Serbisë.

Lavdi Ahmet Kaçikut, mes kujtimeve për dëshmorët e UÇK-së të rënë në Reçak dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë së Kosovës.

/Arbresh.info/

Të ngjashme