Është zbardhur shkresa e SPAK, ku arsyeton se përse ish-kryeministrit Sali Berisha nuk i jepet leja për të marrë pjesë në seancat plenare.
Në shkresën e SPAK që disponon gazetarja Anila Hoxha, përmendet fakti se për kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi vlejnë rregullat e caktuara për paraburgimin.
“Urdhërohet shtetasi nën hetim Sali Berisha, të mos largohet nga banesa e tij e ndodhur në adresën: Rruga ‘Mustafa Matohiti’, Ndërtesa 36, hyrja 1, Nd 036, Njësia Administrative nr. 2 Tiranë, si dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën banesë me të….
Ne vijim, neni 237 i K.Pr.Penale, në pikën 4 të tij, parashikon se për kohëzgjatjen e arrestit në shtëpi vlejnë rregullat e caktuara për paraburgimin dhe në piken 5 sanksionon se koha e qëndrimit në arrest në shtëpi llogaritet në caktimin e dënimit. Pra, referuar ashpërsisë që mbart kjo masë, ajo gjen përputhje në disa elemente, me masën me ekstreme, që është ‘arresti ne burg’, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale”.
Më tej, SPAK përmend dhe rëndësinë e masës dhe nga ana tjetër të mandatit të deputetit .
“Ndodhur ne këto kushte, edhe e drejta për të ushtruar profesionin, apo qoftë edhe mandatin e fituar nga zgjedhjet për në Kuvend, duhet të konsiderohet si e pajtueshme me zbatimin e masës se sigurimit ‘arrest në shtëpi’, parashikuar nga neni 237 i K.Pr. Penale, ashtu sikurse është e papajtueshme edhe për çdo qytetar tjetër që i nënshtrohet kësaj mase, e drejta për të shkuar në punë. Në rastin e masave të tjera shtrënguese, siç është detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, konstatohet se e drejta për të ushtruar profesionin, është në përputhje me llojin e masës, pasi personi nuk detyrohet të qëndrojë në banesën e tij.
Lloji i masës shtrënguese, vendoset nga gjykata, duke mbajtur parasysh kushtet dhe kriteret që kërkohen për caktimin e tyre apo respektimi i detyrimeve te tjera qe lidhen me një mase sigurimi. Aplikimi i masës së sigurimit të arrestit në shtëpi, do të thotë se nevojat për sigurim dhe mbarëvajtje të procesit penal, nevojat për të cilat është vlerësuar të vendoset kjo mase, janë më të mëdha e me të domosdoshme, se sa ato të vërtetuara nga llojet e tjera të masave të sigurimit personal”.
Ndodhur në këto kushte, nevojat që ka vlerësuar gjykata, mbi baze të të cilave ka caktuar masën e sigurimit “arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i K.Pr. Penale, duhet të mbizotërojnë, në raport me tagrin e deputetit ndaj të cilit zhvillohen hetime, për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.
Më tej, raporton gazetarja Anila Hoxha, nuk parashikohet në asnjë nga dispozitat e K.Pr.Penale apo në dispozitat e ligjit nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” mundësimin e dhënies së një leje të tille. Madje, edhe sikurse mund te konstatohet nga vetë kërkesa e paraqitur personi nën hetim, nëpërmjet avokatit mbrojtës Sokol Mëngjesi, nuk evidentohet asnjë dispozite mbi të cilën të mbështetet kërkesa për dhënien e kësaj leje.
“Edhe Gjykata e Lartë, në vendimin e saj nr. 17/5 datë 09.11.2015 është shprehur: ‘…Leje, e cila në vetvete për nga natyra e saj, sidomos për nga kohëzgjatja dhe vazhdueshmëria thuajse e pandërprerë sipas kalendarit të punimeve të Kuvendit, dhe për nga moria e veprimtarive kuvendore do të zbehte pothuajse krejtësisht qëllimin dhe objektin e vendimit për caktimin e masës së sigurimit.
Në Kodin e Procedurës Penale nuk identifikohet ndonjë dispozite ligjore që të parashikojë mundësinë e dhënies së një leje të një natyre të tille, kurse dispozitat e parashikuara në ligjin për trajtimin e të paraburgosurve, natyra e lejeve që mund të kërkohen ka karakter rastësor dhe përjashtimor, pra nuk parashikohet as në ligjin nr.8328, datë 16.04.1998, ‘Për te drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim’ ndonjë dispozite që të mbështesë pretendimin e personin nën hetim.
Në këto kushte, e drejta kushtetuese për të ushtruar funksionin e deputetit, nuk mund të konsiderohet si mbizotëruese në raport me përmbushjen e interesit kushtetues që ka të bëjë me plotësimin e nevojave për mbarëvajtjen e procedimit penal lidhur me ushtrimin e ndjekjes penale dhe zhvillimin e një procesi të rregullt ligjor që synon përcaktimin e së vërtetës lidhur me akuzat e ngritura dhe çështjen e përgjegjësisë penale”.
Ndërkohë, i kontaktuar nga Anila Hoxha, avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha se do ta kundërshtojë në Gjykatën e Posaçme refuzimin e SPAK-ut, që nuk ia aprovoi kërkesën për të shkuar në parlament.
Banka Botërore: Shqipëria të investojë 6 miliardë dollarë në...
Abdixhiku shpalos programin për Arsim në Vushtrri, premton m...
Kur do të hapet ura e Ibrit ?
Mbi 1 mijë tenderë njëburimorë raportohet se po hetohen nga ...
Rrahmani: Është viti i pestë që jam këtu, ndihem si një nga ...
Fillon fushata “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës me...