Punonjësit e policisë që reaguan ndaj sulmit vdekjeprurës me armë në shkollën fillore të qytetit Uvalde, Teksas, pritën më gjatë se ç’duhej për t’u përballur me autorin e sulmit; ata vepruan “pa urgjencë” në ngritjen e një qendre komandimi dhe u transmetuan në mënyrë të përsëritur informacione të pasakta familjarëve të fëmijëve, thuhet në një raport të qarkulluar sot nga Departamenti i Drejtësisë, ku identifikohen dështimet e shumta të forcave të zbatimit të ligjit gjatë masakrës.
Raporti i qeverisë federale pasqyron një seri problemesh në përgatitje, komunikim, zinxhirin drejtues dhe teknologjinë, të cilat kontribuuan për zgjatjen e panevojshme të krizës. Gjatë gjithë periudhës, raporti vë në dukje se nxënësit e tmerruar brenda klasave merrnin në telefon numrin e urgjencave (911) dhe ndërkohë prindërit në gjendje agonie përjashta iu luteshin oficerëve të policisë që të futeshin brenda.
“U thashë familjarëve të mbledhur mbrëmjen e kaluar se shpresoj që bëhet e qartë mes qindra faqeve dhe mijëra detajeve të raportit se: Njerëzit e tyre të dashur meritonin më mirë”, tha prokurori i përgjithshëm Merrick Garland gjatë një konference për shtypin në Uvalde të enjten, pasi informoi paraprakisht familjarët për gjetjet e Departamentit të Drejtësisë.
Një raport pararendës i ligjvënësve në Teksas fajësonte agjencitë e zbatimit të ligjit, në të gjitha nivelet, se dështuan t’i japin “përparësi shpëtimit të jetëve të pafajshme mbi sigurinë e vetë” oficerëve.
Raporti prej 600-faqesh i Departamentit të Drejtësisë zgjeron botëkuptimin e publikut për arsyet përse policia nuk arriti të ndalë sulmin gjatë të cilit u vranë 19 fëmijë dhe dy punonjës të shkollës.
Raporti nënvizon se policia bëri një gabim me kosto të madhe kur mendoi se autori i sulmi ishte i mbyllur diku, megjithëse ai vazhdonte ndërkohë të shtinte me armë. Ky gabim përkufizoi në vazhdim veprimet e policisë gjatë gjithë incidentit. Në vend që të hynte me shpejtësi nëpër klasa për t’i dhënë fund masakrës, policia priti gati një orë për t’u përballur me autorin e sulmit, pritje që raporti e quan “mungesë urgjence” e kushtueshme.
Autori i sulmit, Salvador Ramos, u vra gati 77 minuta pas mbërritjes së policisë në vendngjarje, nga një njësi taktike e formuar nga oficerët e Patrullës Kufitare, të cilët hynë në klasë për ta eliminuar.
“Një sulmues i armatosur aktiv që ka qasje tek viktimat nuk duhet të ishte konsideruar kurrë, apo trajtuar, si i mbyllur diku”, thuhet në raport, ku fjala ‘kurrë’ është e theksuar me gërma të pjerrëta.
Ndër gabimet e tjera, raporti vë në dukje se policia veproi “pa urgjencë” për të ngritur një qendër komandimi në vendngjarje, duke krijuar kështu konfuzion në radhët e oficerëve se kush kishte drejtimin e operacionit. Zyrtarët gjithashtu dëmtuan operacionin, si p.sh. ish-shefi i policisë të distriktit, Pete Arredondo, i cili la pas radiot në vendgjarje, pasi vendosi se nuk ishin të nevojshme.
Megjithëse zoti Arredondo u përpoq të komunikonte me oficerët në pjesë të tjera të shkollës nëpërmjet telefonit, ai u tha atyre të mos hynin nëpër klasa, pasi duket se “vendosi që të tërhiqeshin më parë viktimat nga klasat ngjitur, për të parandaluar lëndime të tjera”.
Uvalde, një komunitet me mbi 15 mijë banorë në afërsi të San Antonios, vazhdon të përballet me traumën e shkaktur nga vrasja e 19 nxënësve të shkollës fillore dhe të dy mësuesve. Komuniteti gjithashtu vazhdon të jetë i ndarë rreth pikëpyetjeve për llogaridhënien për veprimet dhe mosveprimet e oficerëve të policisë. Prokurorja e këtij qarku, Christina Mitchell, ka thënë se ende po shqyrton nëse duhet të ngrejë akuza penale për këtë rast. Deri më tani kanë humbur vendet e punës të paktën pesë nga oficerët e përfshirë në operacion, dy zyrtarë të Departamentit të Sigurisë Publike, si dhe Arredondo./VOA
Çiftet e rrethit të parë të Kupës së Kosovës, lehtë për favo...
Trafiku Urban thotë se janë eliminuar paqartësitë rreth proc...
Kurti vendos edhe gurthemelin e fundit në Podujevë, kësaj ra...
Kumbaro nderon kontributin e gjithë krahinës së Gjirokastrës...
Aprovohet struktura e tarifave të energjisë termike për sezo...
Policia kërkon ndihmë në gjetjen e një gruaje të dyshuar për...