Kurti takon zëvendëspresidenten e “Meta”, flasin për mundësinë e monetizimit në Facebook për Kosovën

18:43 | 18 Janar 2024
E.G

Takimet në ditën e tretë në Forumin Ekonomik Botëror, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i vazhdoi me Monika Bickert, Zëvendëspresidenten për Politika të Përmbajtjes në Meta, kompaninë amë të Facebook, Instagram dhe WhatsApp.

Sipas njoftimit, Kurti e njoftoi Znj. Bickert me veçoritë e politikave dhe tregut të punës e shërbimeve që e karakterizojnë Kosovën, vëmendjen e Qeverisë ndaj agjendës së saj digjitale dhe potencialin që vendi ynë ka në fushën e teknologjisë, përcjell Arbresh.info.

Po ashtu, ai e ftoi atë që ta vizitojë Kosovën për të konsideruar mundësitë e bashkëpunimit dhe për të marrë pjesë në ngjarjet që planifikohen të organizohen në Prishtinë në fushën e teknologjisë.

Ndër çështjet kryesore që u diskutua në takim ishte zgjerimi i mundësive të monetizimit në Facebook për Kosovën. Aktualisht, vendi ynë përballet me kufizime për të shfrytëzuar shumicën e veçorive të monetizimit në Facebook.

“Hyrja e monetizimit në Kosovë mund të liberalizojë ndjeshëm tregun, duke krijuar mundësi të konsiderueshme për krijuesit lokalë për të përfituar përmes platformës së Facebook-ut.”, thuhet në njoftim./Arbresh.info/

Të ngjashme