Një “koalicion artilerie” për Ukrainën, nga 23 vende, po niset në Francë më 18 janar, derisa vendi i shkatërruar nga lufta përpiqet të sigurojë furnizime të vazhdueshme të armëve të rënda dhe municioneve, për të larguar pushtimin e plotë gati dyvjeçar nga Rusia.
Nisma e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara dhe Franca është pjesë e Grupit të Kontaktit Ramstein – i përbërë nga dhjetëra vende aleate të Kievit.
Ministri i Mbrojtjes Sebastien Lecornu, i cili do të nisë “koalicionin e artilerisë” në një ceremoni në Paris, tha para mbledhjes se Franca do të prodhojë dhe do t’i dorëzojë Ukrainës 78 obusa “Cezar” të montuara në kamion deri në fillim të vitit të ardhshëm.
Duke folur për gazetën Le Parisien, Lecornu tha se gjashtë Caesarët e parë – arma kryesore e artilerisë franceze që mund të godasë objektivat në një distancë prej më shumë se 40 kilometra – do të dorëzohen në javët në vijim.
Ukraina i ka përdorur cezarët nga maji i vitit 2022 kur mori grupin e parë të tyre.
Në ceremoninë në Paris, Ukraina do të përfaqësohej nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, por ministria e tij tha në një deklaratë në Telegram se ai nuk do të mund të udhëtonte në Paris siç ishte paralajmëruar, kjo për shkak të një takimi me komandantët ushtarakë të Ukrainës. Por, ai do të marrë pjesë përmes video-lidhjes, tha ministria.
Më herët, qeveria franceze tha se Umerov e kishte anuluar udhëtimin në momentin e fundit për “arsye sigurie” të paspecifikuara.
Nisja e “koalicionit të artilerisë” vjen një ditë pasi presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se Parisi do t’i dorëzojë Ukrainës një grup të ri prej rreth 40 raketash me rreze të gjatë veprimi, SCALP, si dhe “disa qindra” bomba.
Macron njoftoi gjithashtu se në muajin e ardhshëm do të vizitojë Kievin, ku ai dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, do të nënshkruajnë një marrëveshje dypalëshe për garancitë e sigurisë, të ngjashme me marrëveshjen e dakorduar midis Kievit dhe Londrës.
Umerov ka thënë se forcave ukrainase po u mbarojnë municionet.
“Mungesa e municioneve është një problem shumë real dhe urgjent me të cilin po përballen forcat tona të armatosura aktualisht,” tha Umerov.
Ministria franceze e Mbrojtjes tha se koalicioni i artilerisë “synon të kombinojë përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën të ketë një forcë artilerie që plotëson nevojat e kundërofensivave të saj dhe ushtrisë së saj në të ardhmen, në afat të shkurtër dhe afatgjatë”.
Ai konsiderohet, gjithashtu, si një hap tjetër vendimtar në tranzicionin e Ukrainës nga epoka sovjetike në pajisjet e artilerisë perëndimore.
Por tranzicioni është përballur me një pengesë kryesore në mungesën e municioneve për pajisjet perëndimore. Bashkimi Evropian është zotuar të dorëzojë 1 milion predha deri në pranverë, por deri më tani janë dorëzuar vetëm rreth 300.000.
Më 17 janar, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar për rreziqet në ardhje nëse vonohet ndihma e Perëndimit për shtetin e tij, i cili është duke u përballur me pushtimin rus për gati dy vjet.
“Do të jetë një krizë masive për gjithë Evropën”, ka thënë Zelensky para gazetarëve në Forumin Ekonomik Botëror, që po mbahet në Davos të Zvicrës.
“Ukraina do të vazhdojë luftën, mirëpo pa ndihmë financiare, Rusia do të mund të mposhtë Ukrainën. Në momentin që mposhtin Ukrainën, do të jetë lufta në mes të NATO-s dhe Rusisë”, ka thënë Zelensky.
Sipas tij, presidenti rus, Vladimir Putin e ka në mendje një sulm të tillë kundër aleancës ushtarake.
Ukraina është duke e luftuar pushtimin rus për gati dy vjet, me anë të ndihmës së Perëndimit.
Sipas të dhënave të Institutit për Ekonomi Botërore, Kiel, Ukraina ka pranuar ndihmë totale në vlerë të 240 miliardë dollarëve.
Megjithatë, sigurimi i ndihmës së re në vlerë të miliarda dollarëve, është kyç për vazhdim të mbrojtjes së territorit./REL/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...