Google ADS

Sunak injoron vendimin e gjykatës, plani “Ruanda” në dorën e lordëve: T’i dëbojmë azilkërkuesit!

15:55 | 18 Janar 2024
KRG

Rishi Sunak vijon të mbajë gjallë “kalin e betejës” së tij politike. Kryeministri u bëri thirrje anëtarëve të Dhomës së Lordëve që ta aprovojnë planin Ruanda, për dëbimin e azilkërkuesve nga Mbretëria e Bashkuar për në vendin afrikan. Kjo vjen pasi Sunak arriti të kalojë ligjin në fjalë në Dhomën e Komunëve.

Duke folur në Downing Street, ai nënvizoi se Londra duhet t’i qëndrojë planit për të ndaluar emigracionin e paligjshëm dhe gomonet, gjë të cilën e ka shndërruar në prioritetin kryesor të qeverisë së tij. Kryeministri u shpreh i gatshëm që të injoronte dhe një vendim të Gjykatës Europiane që pezullon zbatimin e planit të zhvendosjes së azilkërkuesve për shkaqe sigurie.

“Nëse po më pyesni nëse unë do të shpërfill rregullin 39, përgjigja është qartësisht po, është e rëndësishme që ta rregullojmë këtë problem. Ne besojmë se kemi bërë absolutisht gjithçka në rregull. Dhoma e Lordëve duhet ta miratojë këtë plan. Është koha të marrim kontrollin e kufijve tanë dhe të mposhtim trafikantët.”, u shpreh Sunak.

Sunak shtoi se dëshiron të nisë me dëbimin e azilkërkuesve, sa më parë që të jetë e mundur. Ai tha se partia Konservatore është plotësisht e bashkuar në këtë front, duke mohuar zërat për një përçarje të forcës politike në pushtet, pavarësisht se 11 anëtarë votuan kundër. Konservatorët zotërojnë shumicën në Dhomën e Lordëve, por kryeministri i druhet një kryengritje të brendshme që mund ta dërgojë vendin në zgjedhje të parakohëshme./A2CNN

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme